Arrestimi i ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, ka sjellë reagime dhe pikëpyetje të reja edhe për zhvillimet që e kanë paraprirë hetimin. Hyseni u vendos në arrest shtëpie dhe u pezullua nga detyra pas kërkesës së SPAK, nën dyshimet për përkrahje të autorit të krimit dhe zbulim të akteve ose të dhënave sekrete.
Në këtë kontekst, aktivistja Evi Kokalari ka ngritur një seri pyetjesh mbi vizitën e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara dhe takimin e tij me Prokurorin e Përgjithshëm amerikan, Todd Blanche.
Berisha u takua me Blanche dhe zëvendësprokurorin e Përgjithshëm Stanley Woodward gjatë qëndrimit në SHBA, në kuadër të aktiviteteve të Konventës Republikane në Dallas.
Kokalari ngre dyshimin nëse gjatë këtij takimi mund të jetë diskutuar edhe çështja e SHISH-it dhe drejtueses së tij.
“Më falni, por për këtë kryetaren e SHIK-ut që arrestuan, a e keni marrë parasysh se mund të jetë bëma e Sali Berishës, të cilit hyrja në SHBA iu lejua me pretekstin se i shërben “national security”?
Në fakt, ai pati një takim në një kafe me Todd Blanche dhe ky takim mund të ketë justifikuar të gjithë udhëtimin e tij, pavarësisht se si e shet në Shqipëri… Çfarë i tha Berisha Todd Blanche atë ditë? Cila ishte tema ‘me interes të veçantë për sigurinë e Shteteve të Bashkuara’, për të cilën Berisha paska dijeni? A kishte të bënte me kreun e SHIK-ut në Shqipëri?
S’e di si e shikoni, por kjo punë vjen pak erë… Jo se SPAK mund të mos ketë pasur arsye të mjaftueshme për ta vënë në arrest shtëpie, por as pisllëku i Berishës në SHBA, pikërisht kundër SHIK-ut të Ramës, nuk më duket aspak çudi…
Për më tepër, askush s’e ka shfrytëzuar SHIK-un më agresivisht se vetë Berisha dhe nëse Berisha ka denoncuar ne SHBA një institucion si SHIK-u për interesat e tij personale, atëherë ky është maskarrallëk dhe tradhëti kombëtrare.
Kështu që, nëse Berisha e ka denoncuar në SHBA kreun e SHIK ut, uroj të ketë pasur arsye vërtet të forta për të shkuar deri atje. Përndryshe, qeveria shqiptare duhet të marrë masa ndaj Berishës…
Dhe sërish, nuk e di çfarë ka denoncuar Berisha në SHBA. Besoj se diçka ka denoncuar, sepse ndryshe lobistët e Continental nuk do ta justifikonin dot lejimin e hyrjes së tij VETËM NJË HERË. Por çfarë ishte kaq e rëndësishme për sigurinë kombëtare amerikane që Berisha e di, por nuk ia thotë popullit apo Parlamentit?”/ad
