Shqipëria është gati për duelin ndaj San Marinos në Ligën e Kombeve. Rolando Maran e ka pasur grupin pothuajse të plotë, me përjashtim të Klisman Cakes, i cili vijon të punojë për rikuperimin dhe nuk është në dispozicion për këtë sfidë.
Trajneri italian pritet të ndryshojë disa elementë të formacionit në krahasim me ndeshjen e fundit ndaj Bjellorusisë. Vendimi lidhet edhe me kalendarin e ngjeshur, pasi pas përballjes me San Marinon, Shqipërinë e pret edhe transferta ndaj Finlandës.
Maran ka provuar në stërvitje skemën 3-4-3, duke ruajtur një strukturë me tre mbrojtës dhe katër lojtarë në mesfushë. Në portë është provuar Etrit Berisha, ndërsa treshja e mbrojtjes mund të përbëhet nga Berat Gjimshiti, Ardian Ismajli dhe Samuele Sina.
Në këtë formacion, Stavro Pilo dhe Elseid Hysaj pritet ta nisin ndeshjen nga stoli. Në krahun e majtë të mesfushës është provuar Mario Mitaj, ndërsa në krahun e djathtë pritet të aktivizohet Uzuni. Në qendër të repartit të mesfushës, Maran ka vendosur Juljan Shehun dhe Kristjan Asllanin.
Ndryshime priten edhe në repartin ofensiv. Treshja e sulmit është provuar me Anis Mehmetin në krahun e majtë, Rei Manajn në qendër dhe Ernest Muçin në të djathtë.
Kjo skemë tregon edhe mënyrën se si Maran po planifikon menaxhimin e minutave të lojtarëve në këtë periudhë. Pas fitores 2-0 ndaj Bjellorusisë, trajneri kërkon të ruajë një pjesë të formacionit, por njëkohësisht të bëjë rotacion për shkak të kalendarit dhe sfidës së radhës ndaj Finlandës./k.m

