Last Updated on 30/09/2026 by Monika
Milicia irakiane Kataib Hezbollah, e lidhur me Iranin, ka kërcënuar me rikthimin e dhunës në Irak, në një kohë kur ushtria amerikane ka përfunduar tërheqjen e saj nga vendi.
Në një deklaratë, grupi paralajmëroi se do të synojë rrëzimin e qeverisë së kryeministrit Ali al-Zaidi “me çdo mjet”, nëse ajo ndërmerr hapa që, sipas milicisë, bien ndesh me “interesat e popullit”.
Kataib Hezbollah kërcënoi gjithashtu se do të qëllojë ndaj “avionëve armiqësorë” që hyjnë në hapësirën ajrore irakiane.
Tërheqja e trupave amerikane, e përfunduar të mërkurën, ka shtuar shqetësimet për një përkeqësim të situatës së sigurisë në Irak. Milicitë fillimisht pritej të çarmatoseshin paralelisht me largimin e forcave amerikane, por procesi është shtyrë deri në qershor të vitit të ardhshëm.
Disa prej këtyre grupeve paraushtarake janë përfshirë tashmë në strukturat e sigurisë së Irakut dhe financohen nga shteti, por vazhdojnë të kenë armët dhe komandantët e tyre.
Pozicioni i tyre brenda strukturave shtetërore, së bashku me ndikimin e Teheranit, u ka mundësuar në disa raste të veprojnë jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të qeverisë irakiane.
Disa prej milicive bëjnë pjesë në të ashtuquajturin “Boshti i Rezistencës” të Iranit, një rrjet grupesh të armatosura përmes të cilave Teherani synon të kundërshtojë ndikimin amerikan dhe izraelit në rajon./mxh
