Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi sot se protestat e paligjshme do të ndalohen në ditët në vijim, ndërsa akuzoi grupet e ekstremit të majtë dhe personat që kryen akte vandalizmi për trazirat dhe plaçkitjet e fundjavës së kaluar, sipas “Reuters”.
Pas një takimi me drejtuesit e shërbimeve të inteligjencës dhe ministrat e lartë të qeverisë, Macron tha se demonstratat e organizuara nga sindikatat do të lejohen, por autoritetet mund të ndryshojnë itineraret e tyre për të mbrojtur bizneset nga dëmtimet e mundshme.
“Të shtunën e kaluar patëm akte politike dhe destabilizuese nga grupe të ekstremit të majtë, që synojnë të rrëzojnë Republikën”, deklaroi Macron.
Autoritetet franceze po përgatiten për protesta të reja, mes frikës se vendi mund të përfshihet nga një tjetër fundjavë me tensione dhe akte dhune.
Në Lion, qytetin e dytë më të madh të Francës, autoritetet kanë ndaluar të gjitha protestat e planifikuara për të shtunën.
Ndërkohë, sindikata kryesore studentore e Francës, UNEF, ka bërë thirrje për tubime të shtunën, ndërsa lëvizja e Jelekëverdhëve ka paraqitur kërkesë për një marshim në qendër të Parisit.
Bizneset në kryeqytet kanë nisur të mbulojnë vitrinat e dyqaneve me panele druri, nga frika e incidenteve të reja.
Edhe kompania e produkteve luksoze “Hermès” ka forcuar masat e sigurisë në dyqanet e saj në Francë.
Në qytetin verior të Orléans, autoritetet po përgatiten për trazira të mundshme, pasi partia e ekstremit të djathtë, “Tubimi Kombëtar”, pritet të zhvillojë takimin e saj vjetor, ndërsa sindikatat dhe grupet e majta kanë paralajmëruar demonstrata.
Një protestë studentore e planifikuar për sot në Paris ishte ndaluar, ndërsa autoritetet e transportit mbyllën disa stacione të metrosë në qendër të qytetit, nga frika e grumbullimeve të paautorizuara.
Franca u përfshi më 17 tetor nga disa prej trazirave urbane më të rënda të viteve të fundit, të cilat shpërthyen në kuadër të protestave në mbarë vendin.
Ngjarjet kanë ngritur shqetësime për aftësinë e forcave të sigurisë për të ruajtur rendin. Ndërkohë, dy persona janë arrestuar në lidhje me një sulm me zjarrvënie ndaj bashkisë së qytetit të Limoges, sipas zyrtarëve francezë dhe mediave.
Tri netët e njëpasnjëshme me kufizime të lëvizjes gjatë natës në zonat e prekura nga dhuna kaluan pa incidente të mëdha, duke i dhënë qeverisë një lehtësim të përkohshëm përpara protestave të pritshme të fundjavës.
Trazirat pasqyrojnë gjithashtu pakënaqësinë në rritje në Francë, ku kostot e larta të energjisë, presioni mbi buxhetet familjare dhe shqetësimet për përkeqësimin e shërbimeve publike kanë shtuar pakënaqësinë mes punonjësve dhe të rinjve.
Ndërkohë, qeveria dhe forcat politike janë përfshirë në akuza të ndërsjella për përgjegjësinë ndaj situatës, me ekzekutivin që fajëson grupet e ekstremit të majtë për nxitjen e trazirave.
Në një tjetër tregues të shqetësimeve të investitorëve për situatën në Francë, yield-i i obligacioneve 10-vjeçare të qeverisë franceze u rrit të enjten mbi nivelin e obligacioneve amerikane me të njëjtin afat maturimi, për herë të parë që nga viti 2013./mxh
