Rusia ka lëshuar 205 dronë kundër Ukrainës gjatë një sulmi të nisur mbrëmjen e së dielës, më 4 tetor, dhe që vijoi gjatë natës. Sipas bilancit paraprak të Forcave Ajrore ukrainase, 172 dronë janë rrëzuar ose neutralizuar nga sistemet mbrojtëse të Ukrainës.
Sulmi nisi rreth orës 18:00 me orën lokale dhe përfshiu përdorimin e dronëve të llojeve Shahed, Gerbera, Banderol/Dan-T, si dhe mjeteve mashtruese Parody. Në mesin e mjeteve të përdorura nga Rusia raportohet se ishin edhe 49 dronë reaktivë.
Për përballimin e sulmit u aktivizuan avionët luftarakë dhe njësitë ukrainase të mbrojtjes kundërajrore, së bashku me njësitë e luftës elektronike dhe grupet e lëvizshme të zjarrit.
Pavarësisht numrit të lartë të mjeteve të neutralizuara, goditje janë raportuar në 13 zona, ndërsa mbetje të dronëve të rrëzuar kanë rënë në tre zona të tjera.
Estonia zhvendos trupat pranë kufirit me Rusinë
Ndërsa lufta në Ukrainë vijon, Estonia po zhvendos në mënyrë të përhershme një pjesë të trupave të saj më pranë kufirit me Rusinë, ndërsa po pajiset edhe me armë që mund të godasin objektiva në thellësi të territorit rus.
Sipas “Financial Times”, Talini po forcon kapacitetet e tij ushtarake përballë mundësisë së një agresioni të ardhshëm rus përtej Ukrainës.
Zyrtarët ushtarakë dhe të inteligjencës estoneze nuk vlerësojnë se Moska synon një luftë të gjerë me NATO-n në dy vitet e ardhshme. Megjithatë, sipas vlerësimeve të cituara nga gazeta britanike, ata besojnë se Rusia po përgatitet për mundësinë e një konflikti të ardhshëm me Estoninë, e cila ndodhet në krahun lindor të Aleancës Atlantike.
Reagon Kremlini
Kremlini ka reaguar ndaj forcimit të pranisë ushtarake estoneze pranë kufirit me Rusinë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi se Ministria ruse e Mbrojtjes dhe shërbimet e tjera përkatëse kanë kapacitetet e nevojshme të inteligjencës për të monitoruar dhe vlerësuar situatën përgjatë kufijve të vendit./k.m
