Kim Kardashian ka zbuluar një detaj që ka tërhequr menjëherë vëmendjen, ylli i “The Kardashians” ka pesë dado që e ndihmojnë me kujdesin për katër fëmijët e saj me Kanye West.
North, 13 vjeç, Saint, 10, Chicago, 8 dhe Psalm, 7, kanë në dispozicion pesë dado, të cilat ndihmojnë Kim Kardashian në përkujdesjen ndaj tyre. Megjithatë, pavarësisht ndihmës që ka, Kim thotë se përpiqet të jetë vetë e pranishme në përditshmërinë e fëmijëve të saj.
Në një intervistë për “The Sunday Times’ Style Magazine”, 45-vjeçarja tregoi se është ajo që i çon dhe i merr fëmijët nga shkolla, ndërsa darkën familjare e ka kthyer në një ritual të përnatshëm.
“Jam një prind mesatarisht strikt”, u shpreh Kardashian, duke shtuar se është “jashtëzakonisht e duruar dhe e dashur” me fëmijët e saj. Ajo tregoi gjithashtu se ende i lejon të flenë në shtratin e saj kur kanë nevojë dhe se çdo mbrëmje lexon libra me ta.
Edhe pse marrëdhënia e saj aktuale me Kanye West nuk ishte pjesë e deklaratave të saj, Kim pranoi se të dy kanë arritur të komunikojnë më mirë kur bëhet fjalë për fëmijët, veçanërisht për vajzën e tyre North dhe angazhimet e saj muzikore.
“Për këtë kemi komunikim më të mirë. Sigurohemi që jemi në një linjë dhe që ajo është në projekte që i miratojmë të dy”, tha ajo.
Kim dhe Kanye, të cilët ishin të martuar nga viti 2014 deri në vitin 2022, kanë pasur një bashkëprindërim jo gjithmonë të qetë. Në të kaluarën, reperi ka kritikuar publikisht ish-bashkëshorten, ndërsa Kim ka folur hapur për vështirësitë e saj në rritjen e katër fëmijëve.
Në një intervistë të vitit 2024, ajo kishte pranuar se ndihej “e vetmuar” në këtë aspekt, pavarësisht se kishte një sistem të madh mbështetjeje dhe disa dado në dispozicion.
Ajo kishte shpjeguar se situata bëhet veçanërisht e vështirë gjatë natës, kur fëmijët flenë me të, qajnë apo e shqetësojnë. Kardashian kishte theksuar se shpesh shmang të flasë për këto vështirësi nga frika e gjykimit, por kishte deklaruar se ndihej sikur po i rriste “pothuajse e vetme”./mxh
