Last Updated on 06/10/2026 by EL
Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA) do të rrëfejë të shkuarën me fjalën e fundit të teknologjisë. Muzeu Arkivor, i vlerësuar maksimalisht prej muzeologëve më në zë, nga SHBA-ja në Japoni, ka hapur dyert për publikun e gjerë.
Në ceremoninë e përurimit të kësaj hapësirë që sjell trashëgiminë dokumentare të kombit më afër shqiptarëve, ishin të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave Z. Auron Rrokaj, kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë Z. Skënder Gjinushi, zëvendësministrja e Kulturës, Turizmit dhe Sportit Znj. Lira Pipa, Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Arteve, Znj. Adela Demetja, zëvendësambasadori i Kinës në Shqipëri, Z. Huang Xuehu, pjesëtarë të trupave diplomatikë të vendeve mike, kuratorët e Muzeut Arkivor Z. Ardit Bido, Z. Aleksandër Çifligu dhe Z. Ardian Isufi, drejtues të intitucioneve bashkëpunëtore në rajon, ish-krerë të DPA-së, eksponentë të klerit, studiues dhe gazetarë.
Në fjalën e tij përshëndetëse, Z. Rrokaj u shpreh se Muzeu Arkivor është konceptuar për të sjellë arkivat pranë pubikut, përmes ndërveprimit digjital. “Ky event është organizuar nën kujdesin e kryeministrit, i cili do të ishte i pranishëm, por si shkak i një ndodhie të papritur, nuk mund të jetë sot këtu. Ky është një muze arkivor, nuk është një muze i arkivit. Është muze i dokumenteve, muzeu më i bukur, më modern që ka Shqipëria sot. Është një muze që ndjek ciklin e jetës së njeriut dhe dokumentet që shoqëria njerëzore prodhon gjatë tij. Natyrisht janë dokumente që flasin për shqiptarët, për Shqipërinë që nisin me lindjen dhe përfundojnë me vdekjen. Muzeu është ndërveprues, është konceptuar në mënyrë që vizitori mos jetë thjesht një soditës, por të ndërveprojë me vetë muzeun. Të rinjve do t’iu pëlqejë shumë. Të vijnë të shohin muzeun, sepse ashtu do të rigjejnë dashurinë për letrën, që në këtë ndërtesë ruhet dhe shërbehet”, tha kreu i DPA-së.
Ndërsa në fjalën e tij të rastit, kryetari i ASHSH-së përgëzoi DPA-në për këtë nismë, të konkretizuar sipas ritmit të kohës. ”Tashmë arkivat janë të organizuara në mënyrë moderne sipas kërkesave të kohës. Ligji i trashëgimisë lejon pikërisht që institucionet të kenë edhe muze autonomë, që patjetër bëjnë që në kuadrin e shoqërisë së hapur, publiku të ketë një akses të drejtëpërdrejtë mbi institucionin, pasi kuptohet që arkivat kanë një enigmë zakonisht. Edhe pranë Akademisë së Shkencave ka një muze të arkeologjisë dhe sigurisht do të bashkëpunojmë që të marrim nga përvoja juaj, për një paraqitje sa më moderne dhe efikase. Muzeu shërben që njerëzit e sidomos të rinjtë të jenë më prezentë në përdorimin e arkivave. Urime e suksese dhe do të ndjekim shembullin tuaj për muzeun tonë”, përmbylli Z. Gjinushi.
Qindra dokumente të riprodhuara, materiale dëgjimore, filmike dhe fotografike të digjitalizuara janë pjesë e ekspozitës së përhershme të muzeut. Kjo hapësirë përcjell një narrativë mbi historinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve ndër shekuj, përmes një komponenti arkivor (Bibliotekës, Fototekës, Arkivit Audiovizual etj). E konceptuar në formën e “linjës së jetës”, ekspozita e përhershme paraqet edhe aspekte të jetës shoqërore, që përfshijnë lindjen, dashurinë, besimin, por edhe privimin, divorcin dhe vdekjen.
Krahas mënyrës konvencionale, e shkuara e përbashkët transmetohet përmes ndërveprimit digjital të vizitorëve. Kalendari historik, restaurimi i dokumenteve, pyetësorët për ngjarje/figura me peshë, si edhe larmishmëria dialektore e shqipes, janë rubrika të ideuara për të përçuar informacion nëpërmjet zbavitjes.
Ndërsa ekspozita e përkohshme, do të mirëpresë gjatë muajit tetor vizitorët vendas dhe të huaj me kodikë bizantinë dhe pasbizantinë, pjesë e fondit “Koleksioni i Kodikëve të Shqipërisë”.
Në sipërfaqen ku shtrihen këto dy pavijone, gjenden të mbishkruara postulatet e personaliteteve shqiptare më të rëndësishme në histori, që simbolizojnë themelet mbi të cilat ecim drejt të ardhmes.
Jetëzimi i projekteve novatore të DPA-së eshtë rezultat i investimeve të qeverisë shqiptare. Hapja e Muzeut Arkivor është përmbushja e vizionit për t’i shndërruar arkivat në një alternativë kulturore bashkëkohore, së bashku me sallën e “Auditorium”-it, të Kinemasë/Teatrit Veror me kapacitet prej 140 ulësesh dhe të hapësirës së studimit në natyrë.
Hyrja në Muzeun Arkivor do të jetë e lirë deri të premten, më 9 tetor.















