Një vendim i fundit i Gjykatës së Apelit të Posaçëm ka rikthyer në vëmendje situatën e një nëne të një foshnjeje vetëm 4-muajshe, e cila është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për akuzat që lidhen me mashtrimin kompjuterik përmes call center-ave.
Bëhet fjalë për Greta Gjoci Pepën, ndaj së cilës më 5 tetor 2026 Apeli i Posaçëm la në fuqi dënimin me 6 vite e 8 muaj burgim. Rasti është bërë veçanërisht i ndjeshëm për shkak se Gjoci është nënë e një foshnjeje 4-muajshe dhe prej rreth tre vitesh ka qëndruar nën masën e arrestit në shtëpi.
Sipas akuzës së SPAK, Gjoci nuk është dënuar thjesht për ushtrimin e detyrës si operatore në një call center. Ajo është shpallur fajtore edhe për veprën penale të “mashtrimit kompjuterik”, në bashkëpunim dhe në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për “pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”.
Sipas SPAK, Gjoci ka qenë pjesë e grupit të drejtuar dyshohet nga Bruno Çobo. Organizata akuzohet se, përmes skemave të mashtrimit kompjuterik, ka përfituar rreth 4.7 milionë euro nga viktimat.
Në njoftimin e SPAK thuhet se Greta Gjoci (Pepa) akuzohet për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Në shkallën e parë, Gjoci ishte dënuar me 10 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me një të tretën, duke u përfunduar në 6 vite e 8 muaj burgim.
Pas vendimit të Apelit të Posaçëm, çështja tashmë lidhet edhe me ekzekutimin e dënimit dhe mënyrën se si do të trajtohet situata e foshnjës së saj. Burime për mediat bëjnë me dije se Gjoci pritet të shoqërohet nga Policia për në IEVP-në e grave në Pojskë.
Rasti ngre pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si do të trajtohet fëmija 4-muajsh në kushtet kur nëna e tij përballet me ekzekutimin e një dënimi me burgim.
Ndërkohë, çdo vendim lidhur me mënyrën e ekzekutimit të dënimit dhe trajtimin e situatës së fëmijës duhet të përcaktohet në përputhje me dispozitat ligjore dhe vendimet e autoriteteve kompetente./ad
