Last Updated on 07/10/2026 by EL
Nga projektet në Shqipëri te ato në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë Fifth Avenue në Manhattan dhe Utah, kompania shqiptaro-amerikane Aluflor po përgatitet për një tjetër fazë të rritjes, të mbështetur te investimet në teknologji, kapacitetet prodhuese dhe kapitalin njerëzor.
Në takimin vjetor të kompanisë, CEO e Aluflor, Eriola Xheko, e vendosi në qendër të fjalës së saj pikërisht njeriun, duke e cilësuar atë si themelin e çdo suksesi dhe vizionin mbi të cilin duhet të ndërtohet e ardhmja e kompanisë.

“Një kompani nuk është vetëm emri i saj. Nuk janë vetëm ndërtesat, makineritë, fabrikat apo kontratat. Një kompani janë njerëzit e saj. Dhe unë e kam thënë shpesh: vizioni im janë njerëzit”, u shpreh Xheko.
Para stafit, ekspertëve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të Aluflor, ajo vlerësoi përkushtimin dhe sakrificën e ekipit, duke nënvizuar se historia e çdo kompanie të suksesshme ndërtohet nga njerëz që besojnë, punojnë dhe nuk dorëzohen përballë vështirësive.
Duke sjellë në vëmendje vepra monumentale si Tempulli i Salt Lake (i njohur si Tempulli i SLC), Piramidat e Egjiptit, Bazilika e Shën Pjetrit në Vatikan dhe Xhamia Blu në Stamboll, Xheko theksoi se pas çdo vepre që i reziston kohës qëndron një vizion dhe një përkushtim njerëzor që tejkalon një brez.
“Zoti krijoi njeriun dhe njeriut i dha fuqinë për të krijuar. Për të imagjinuar atë që ende nuk ekziston, për ta projektuar, për ta ndërtuar dhe për t’u lënë brezave që vijnë diçka që mbetet”, tha ajo.
Duke folur për rrugëtimin e saj, Xheko kujtoi edhe skeptikët e fillimeve, kur shumëkush i kishte thënë se ëndrrat e saj ishin të vështira për t’u realizuar.
“Kur kam filluar të punoj, të gjithë më kanë thënë: nuk e bën dot. Madje edhe babai im më thoshte: mos shiko shumë ëndrra. Por ja ku jemi sot, dëshmitarë se çdo ëndërr me shumë punë bëhet realitet”, u shpreh ajo.
Sot, Aluflor ka realizuar projekte në Shqipëri dhe në tregun amerikan, ndërsa vijon me projekte të reja ndërkombëtare. Por, sipas Xhekos, arritjet e deritanishme nuk janë destinacioni.
“Ajo që kemi bërë deri tani nuk është destinacioni ynë. Është vetëm prova se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, tha ajo.
Në këtë vizion për të ardhmen, një rol të rëndësishëm zë ndërtimi i fabrikës së re të Aluflor për prodhimin e fasadave qelizë, sisteme fasadash të parafabrikuara në module, të projektuara për një montim më të organizuar dhe efikas.
“Për mua, kjo fabrikë nuk është thjesht një godinë. Nuk janë vetëm makineritë dhe kapaciteti i prodhimit. Ajo përfaqëson ambicien tonë për të ardhmen”, theksoi Xheko.
Investimi në teknologji, sipas saj, duhet të shoqërohet me një standard të ri profesional dhe me një kulturë pune ku përgjegjësia dhe cilësia janë pjesë e çdo hallke të procesit.
“Kantieri është vendi ku çdo gjë që ne premtojmë bëhet realitet. Aty shihet organizimi, disiplina, cilësia, respekti për afatet dhe, në fund, aty shihet emri ALUFLOR”, tha CEO e kompanisë.
Xheko u kërkoi punonjësve të mos kufizohen vetëm te përmbushja e detyrave, por të marrin përgjegjësi, të kërkojnë zgjidhje dhe të synojnë zhvillimin e vazhdueshëm profesional.
“Dua që një punonjës i mirë të bëhet një profesionist i shkëlqyer, një profesionist i shkëlqyer të bëhet drejtues dhe një drejtues të krijojë drejtues të tjerë. Kështu ndërtohet një kompani që nuk varet nga një person, por nga një kulturë”, u shpreh ajo.
Në përfundim, mesazhi i CEO-s së Aluflor ishte një ftesë për ekipin që të mos shohë vetëm atë që është ndërtuar deri tani, por atë që mund të ndërtohet në të ardhmen.
“Dua të ndërtojmë, të rritemi, të krijojmë dhe të bëjmë gjëra të mëdha. T’i bëjmë mirë, me standard dhe së bashku”, deklaroi Xheko.
Një vizion që e vendos Aluflor përballë një kapitulli të ri, ku ambicia për tregjet ndërkombëtare ecën paralelisht me investimin në teknologji, cilësi dhe njerëzit që e bëjnë këtë ambicie të realizueshme.
