Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar pas tensionimit të situatës jashtë Kuvendit të Shqipërisë, ku protestuesit janë përplasur me forcat e policisë.
Berisha ka dënuar përdorimin e dhunës ndaj protestuesve, duke pretenduar se ata janë goditur nga policia.
“Stop dhunës dhe terrorit ndaj protestuesve paqësorë! Përgjaken protestuesit! Krim i shëmtuar!”, shkruan Berisha në reagimin e tij.
Ndërkohë, situata jashtë Kuvendit është tensionuar, pasi disa protestues kanë shtyrë kordonin e policisë dhe kanë tentuar të kalojnë barrierat e vendosura përreth godinës.
Forcat e policisë kanë përdorur gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës, ndërsa disa protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
Protesta zhvillohet në një kohë kur brenda Kuvendit po mbahet seanca plenare, ku ndër të tjera po diskutohet edhe reforma territoriale e propozuar nga Partia Socialiste.
