Shërbimet hekurudhore në Norvegji janë ndërprerë përkohësisht për shkak të një problemi në sistemin e komunikimit. Lajmin e njoftoi kompania publike hekurudhore “Vy” ku paralajmëroi anulime dhe vonesa të mundshme.
“Qarkullimi i trenave është ndërprerë në të gjithë vendin”, bëri të ditur “Vy” në faqen e saj, duke paralajmëruar për anulime dhe vonesa të mundshme.
Sipas kompanisë, një defekt ka prekur sistemin e komunikimit që përdoret për funksionimin e shërbimeve hekurudhore.
Ende nuk dihet se sa do të zgjasë ndërprerja e qarkullimit hekurudhor në të gjithë vendin. Shkak i situatës janë problemet e hasura nga operatori norvegjez i telekomunikacionit Telenor.
Përfaqësuesi i kompanisë, Vetle Andersen, deklaroi për gazetën “Aftenposten” se nuk ka asnjë indikacion se bëhet fjalë për një sulm kibernetik në zhvillim. Autoritetet dhe kompanitë përkatëse po punojnë për rikthimin e shërbimeve./mxh
