Last Updated on 08/10/2026 by Monika
Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla ka folur mbrëmjen e sotme për Reformën Territoriale të vitit 2014 dhe ndarjen e re territoriale që pritet të miratohet në seancën e sotme plenare.
Balla u shpreh se ulja e numrit të bashkive do të rrisë numrin e funksioneve dhe shërbimeve nga këto institucione vendore. Sipas tij kjo ndarje territoriale shërben edhe për marrjen e fondeve të Bashkimit Europian.
“Harta e qarqeve nuk ndryshon. Një pjesë e madhe e bashkive nuk i janë përgjigjur atij angazhimi, si psh transport ii fëmijëve në shkollë. Një prej synimeve është që të garantojmë në të gjithë territorin transportin e fëmijëve në shkollë. Kjo është një nga shërbimet që sjell kjo reformë.
Ekspertët më të mirë të qeverisjes vendore janë zviceranët dhe na thanë që mund ta bëni Shqipërinë dhe me 100, por na thanë edhe që sa më shumë të ulni numrin aq më shumë funksione mund t’jua transferoni. Ka një element thelbësor, projektet e BE-së. Për të pasur kapacitete për të marrë fondet e BE duhet një bashki me 80 mijë banorë për të pasur përzgjedhshmëri për të konkurruar”, tha Balla.
Më tej kreu i grupit të PS-së u shpreh se reforma e vitit 2014 u bë si marrëveshje asokohe me partinë e LSI-së.
“Është e vërtetë që në 2014 ka pasur disa bashki që në variantin tonë të parë në vitin 2014 nuk ishin, se ka qenë me 49 bashki. Zotëria i asaj kohe tha në bashkinë Vlorë nuk kandidoj dot se s’kam vota, por mtha hajde shpikim bashkinë Selenicë që të kandidoj. Ky diskutim nuk është sekret e kanë thënë dhe deputetët e opozitës. PD në atë kohë nuk u bë pjesë e procesit. PD ka gjetur gjithmonë një mënyrë për te ikur”, tha Balla./mxh
