Last Updated on 09/10/2026 by Klara
Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit (IPQ) ka reaguar ndaj deklaratave të deputetit Igli Cara në një komision parlamentar lidhur me përdorimin e qumështit pluhur dhe vajit të palmës, si dhe pretendimeve për pengesa në kontrollin e operatorëve të mëdhenj të industrisë.
Në reagimin e saj, IPQ thekson se siguria ushqimore është prioritet absolut për shoqatën dhe kompanitë anëtare, të cilat, sipas saj, respektojnë standardet dhe kërkesat ligjore në fuqi.
Shoqata vlerëson se diskutimet publike për çështje të tilla, veçanërisht ato që zhvillohen në Kuvendin e Shqipërisë, duhet të mbështeten në fakte, transparencë dhe informacion të verifikuar.
Sipas IPQ-së, deklaratat e përgjithësuara dhe të pambështetura në fakte nuk i shërbejnë mbrojtjes së konsumatorëve, ndërsa mund të dëmtojnë besimin e publikut dhe sipërmarrjen prodhuese vendase.
Në këtë kuadër, shoqata i ka bërë thirrje deputetit Igli Cara dhe ligjvënësve të tjerë që të vizitojnë fabrikat e kompanive anëtare, me qëllim njohjen nga afër të proceseve teknologjike, standardeve të prodhimit dhe masave të kontrollit të sigurisë ushqimore.
“Për industrinë tonë, siguria ushqimore nuk është thjesht një detyrim ligjor, por përgjegjësia jonë e parë ndaj çdo konsumatori”, thekson Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit në reagimin e saj./k.m


