“Anti Blush” është trendi i ri i grimit që po i bën mollëzat të duken natyrshëm të theksuara, teksa blush-i ka kaluar nëpër shumë faza të ndryshme. Nga mollëzat e theksuara me tone rozë dhe korale, deri te trendi i njohur si blush blindness, ku aplikimi intensiv i ngjyrës u bë pjesë e pandashme e grimit, kemi mësuar ta shohim blush-in si një nga elementet kryesore të pamjes. Por tani, trendi po shkon në drejtimin e kundërt: më pak ngjyrë, më shumë natyralitet.
Quhet “Anti Blush” dhe synon t’i japë fytyrës një pamje të freskët dhe natyrale, pa e bërë blush-in të bie në sy menjëherë. Rezultati është një efekt delikat, që ngjan më shumë me ngjyrën natyrale të lëkurës sesa me një produkt grimi të aplikuar mbi të.
Çfarë është trendi “Anti Blush”?

Pavarësisht emrit, “Anti Blush” nuk do të thotë të heqim dorë nga blush-i. Përkundrazi, bëhet fjalë për ta përdorur atë në një mënyrë më diskrete, duke zgjedhur nuanca më të buta dhe duke shmangur intensitetin e ekzagjëruar.
Në vend të rozës së ndezur apo ngjyrave që bien menjëherë në sy, ky trend favorizon tonet bezhë, nude dhe kafe të buta, të cilat përshtaten me ngjyrën natyrale të lëkurës. Në varësi të nëntonit të saj, mund të zgjidhni nuanca më të ngrohta ose më të ftohta, për të krijuar një efekt të harmonizuar me pjesën tjetër të grimit.
Ideja është që mollëzat të duken lehtësisht të theksuara, sikur ngjyra dhe dimensioni të vijnë natyrshëm nga tiparet e fytyrës. Pra, jo një blush që merr gjithë vëmendjen, por një detaj i vogël që e bën pamjen më të freskët.
Pse po e shohim kudo tani?
Pas një periudhe kur blush-i ishte protagonisti kryesor i grimit, “Anti Blush” vjen si një alternativë për ata që preferojnë një pamje më të thjeshtë dhe më pak të ngarkuar në dukje. Në vend që ngjyra të jetë elementi që bie më shumë në sy, ajo bëhet pjesë e pandashme e grimit, pa u dalluar menjëherë.
Ky trend përputhet me preferencën për një pamje më natyrale, ku lëkura ruan freskinë dhe tiparet theksohen pa shumë produkte apo kontraste të forta. Rezultati është një grim i butë, që mund të përshtatet si për përditshmërinë, ashtu edhe për raste kur dëshironi të dukeni të kuruara pa e tepruar./k.m
Si ta arrini pamjen “Anti Blush”?
Sekreti qëndron te zgjedhja e nuancës dhe mënyra e aplikimit. Fillimisht, zgjidhni një blush në tone nude, bezhë ose kafe të butë, duke u bazuar te ngjyra dhe nëntoni i lëkurës suaj. Synimi nuk është të krijoni një kontrast të dukshëm, por të shtoni pak ngjyrë dhe dimension në mollëza.
Aplikojeni produktin në sasi të vogël dhe përziejeni mirë, në mënyrë që të mos krijohen kufij të dallueshëm apo zona me përqendrim të lartë ngjyre. Nëse përdorni blush kremoz, mund ta përhapni me gishta ose me një sfungjer grimi për një rezultat më të shkrirë me lëkurën. Shtoni produkt vetëm nëse është e nevojshme, pasi ky trend mbështetet pikërisht te intensiteti i ulët.
Në fund, duhet të krijohet përshtypja se faqet kanë marrë një ngjyrë të lehtë natyrale, jo se keni aplikuar një produkt të dukshëm. Sepse, këtë herë, blush-i më i mirë është ai që e vëreni te rezultati përfundimtar, jo te ngjyra që bie në sy.
