Kritikja e qeverisë, Egla Ceno, ka reaguar me ironi pas miratimit të reformës administrativo-territoriale në Kuvend, një ditë më parë. Përmes një statusi në rrjetet sociale, ajo shpreh mërzinë për zhvillimet e fundit, ndërsa propozon me ironi vendosjen e parullave në dy prej maleve të Shqipërisë.
“Pas së djeshmes jam e mërzitur si të më kishte ndodhur një vaki në shtëpi”, shkruan Ceno, duke theksuar se kjo është fjalia e vetme në hyrje të statusit të saj.
Më tej, ajo propozon që në malin e Shpiragut të shkruhet “Rroftë Partia”, duke u shprehur e gatshme të japë tokën e shtëpisë së gjyshes nga ana e nënës për realizimin e këtij projekti.
Ndërsa për malin e Tomorrit, Ceno sugjeron mbishkrimin “PPS”, duke deklaruar se është gati të japë edhe tokën e shtëpisë së gjyshit nga ana e babait.
Në fund të reagimit, ajo mbyll statusin me thirrjen “Shihemi në shesh. Shqipëria e Shqiptarëve”, duke shoqëruar postimin me flamurin shqiptar dhe simbolin e grushtit të ngritur./ad
