Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka depozituar pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, propozimet lidhur me paketën fiskale 2027. Organizata më e madhe e biznesit, propozon rishikimin e ngarkesës fiskale, si masë kryesore që duhet të ndërmarrë qeveria për përballimin e rritjes së kostove të prodhimit, si pasojë e rritjes së çmimeve të lëndëve të para, karburanteve etj., në tregun global.
Konkretisht propozohet që norma e TVSH-së për sektorin e agropërpunimit të bëhet 5%–7%; përfshirja e të gjithë operatorëve që operojnë në sektorin e grumbullimit dhe përpunimit të qumështit në skemën e TVSH-së, pavarësisht xhiros së deklaruar vjetore; Bërja zero e TVSH-së për fertilizantët; përjashtimi nga TVSH në importi i makinerive që përdoren për investim, për sektorin e energjisë dhe industrinë prodhuese; Akordimi i të drejtës së zbritjes së TVSH-së për karburantet.
Sa i takon tarifave doganore, propozohet përjashtimi i tarifës doganore për të gjitha lëndët e para që shërbejnë për industritë prodhuese; Rimbursimi i tarifës doganore për eksportuesit për të gjitha lëndët e para dhe ndihmëse që blihen në tregun vendas; si dhe të të pezullohet detyrimi i parapagimit të TVSH-së në doganë për importin e lëndëve të para për industritë prodhuese.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë propozon gjithashtu rimbursimin e akcizës për gazin dhe lëndët djegëse; Pagesa e taksës së infrastrukturës të bëhet me 3 këste si dhe rishikim të takës së pasurive për ndërmarrjet prodhuese.
Ndërkohë propozohet rritja e normës së amortizimit fiskal nga 20% në 40% për makineritë dhe pajisjet e investuara në industrinë prodhuese.
Shoqatat e biznesit i kërkojnë qeverisë mbështetje fiskale dhe financiare për përmbushjen e standardeve të BE-së, siç mund të jetë eliminimin e barrës fiskale për investimet që lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e këtyre standardeve(p.sh. pajisje për përpunim, filtrime mjedisore, sisteme sigurie dhe higjiene etj.); Aplikimin e skemave të subvencionimit apo kredive të buta për investime në modernizim dhe përmirësim teknologjik; Një program kombëtar koordinues që të identifikojë nevojat kryesore të sektorëve ekonomikë dhe të planifikojë ndërhyrje fiskale e financiare për periudhën afatmesme; etj.
Po ashtu, kërkohet të merren parasysh mekanizma fiskale stimuluese për kërkimin shkencor dhe inovacionin./k.m
