Last Updated on 11/10/2026 by Anisa
Një vjedhje në një dyqan rrobash në Kavajë është zbardhur nga Policia, pas denoncimit të bërë më 8 tetor 2026 nga menaxherja e biznesit. Autorët dyshohet se kanë vjedhur gjatë natës një kasafortë me rreth 600 mijë lekë dhe gjashtë telefona celularë.
Në vijim të hetimeve, policia identifikoi dy personat e dyshuar për vjedhjen. Si rezultat, u arrestua një 46-vjeçar, me inicialet M. L., banues në Kavajë, ndërsa bashkëpunëtori i dyshuar, A. S., 30 vjeç, u shpall në kërkim.
Gjatë kontrollit në banesën e 46-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kasafortën e vjedhur, brenda së cilës kishte ende një sasi parash.
Policia bën me dije se vijon puna për kapjen e 30-vjeçarit të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprën penale “Vjedhja”.
View this post on Instagram
