Një kontroll policor në aksin Kalamata–Pylos të Greqisë ka çuar në arrestimin e tre të rinjve, mes tyre një 19-vjeçar turk të kërkuar ndërkombëtarisht nga autoritetet shqiptare për akuzën e vrasjes.
Sipas policisë greke, tre të rinjtë, të moshave 19, 21 dhe 22 vjeç, u ndaluan gjatë kontrollit të automjetit me të cilin udhëtonin. Gjatë kontrollit, efektivët gjetën 14.7 gramë marijuanë dhe një sasi të vogël kokaine, të cilat dyshohet se i posedonin së bashku.
Verifikimet zbuluan se 19-vjeçari ishte subjekt i një Njoftimi të Kuq të Interpolit, të lëshuar me kërkesë të autoriteteve shqiptare. Sipas njoftimit zyrtar, ai akuzohet për vrasje dhe mbajtje e përdorim të paligjshëm të armëve të zjarrit.
Ndërkohë, 19-vjeçari dhe 22-vjeçari paraqitën dokumente udhëtimi me autenticitet të dyshimtë. Dokumentet u sekuestruan, ndërsa policia konstatoi se të dy qëndronin në Greqi në mënyrë të paligjshme.
Gjatë operacionit u sekuestruan gjithashtu katër telefona celularë, karta identiteti dhe leje drejtimi të lëshuara nga autoritetet bullgare.
Hetimet po vijojnë nga autoritetet greke. Deri më tani, njoftimi zyrtar nuk jep detaje mbi viktimën apo rrethanat e vrasjes për të cilën kërkohet 19-vjeçari.
Arrestimi u bë më 10 tetor, ndërsa lajmi u bë publik nga policia greke më 11 tetor 2026./ad
