Last Updated on 13/10/2026 by Klara
Shqipëria regjistroi më pak aksidente rrugore gjatë vitit 2025, por numri i viktimave u rrit, siç tregojnë të dhënat e publikuara sot nga INSTAT, ku shihet se vitin e kaluar u regjistruan 1 375 aksidente, 17,5% më pak se në vitin 2024, ndërsa numri i personave të vrarë u rrit me 14,3%.
Grupmosha 25-34 vjeç rezultoi me numrin më të lartë të aksidenteve, me 331 raste ose 24,1% të totalit. Në këtë grupmoshë, 70% e të aksidentuarve ishin meshkuj dhe 30% femra.
Raporti tregon se në 87,9% të rasteve aksidentet u shkaktuan nga sjellja e drejtuesve të mjeteve. Në total,1 208 aksidente erdhën si pasojë e drejtuesve, ndërsa 167 u shkaktuan nga këmbësorët.
Në bazë të eksperiencës në timon, më shumë aksidente shkaktuan drejtuesit me mbi nëntë vite leje drejtimi, me 677 raste ose 49,2% të totalit. Pas tyre renditen drejtuesit me 0-3 vite eksperiencë, me 224 aksidente.
Dita e hënë rezultoi më problematikja për qarkullimin, me 231 aksidente, ndërsa intervali 08:00-12:00 ishte ai me më shumë përplasje, me 298 raste.
INSTAT bën të ditur gjithashtu se 28,3% e aksidenteve ndodhën në rrugët interurbane dytësore dhe 23,2% në rrugët urbane dytësore. Shumica e tyre u regjistruan në mot të thatë dhe gjatë orëve të ditës.
Nga ana tjetër, raporti i aksidenteve për numrin e mjeteve në qarkullim u përmirësua, duke zbritur në 1,3 aksidente për 1.000 mjete, nga 1,7 një vit më parë. Ndërkohë, gjobat për shkeljet rrugore u rritën me 2,2%, ku pjesën më të madhe e zënë qëndrimet dhe pushimet e ndaluara, shkeljet e kufirit të shpejtësisë dhe mosrespektimi i sinjalizimit rrugor./k.m
