Last Updated on 13/10/2026 by Anisa
Kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, deklaron se Partia Agrare Ambientaliste (PAA) nuk ia kishte garantuar asnjëherë kryeministrit Edi Rama votën për Reformën Territoriale. I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Duka u shpreh se do të kishte votuar kundër reformës.
Ai hodhi poshtë pretendimet se Rama kishte llogaritur dy vota rezervë nga PAA-ja, duke theksuar se qëndrimi i tij politik ka qenë gjithmonë i prerë.
“Do të kisha votuar kundër, absolutisht. S’dua të fyej askënd. Por jeta ime politike ka qenë kjo: kur them po, është ‘po’ dhe kur them jo, është ‘jo’”, deklaroi Duka.
Për të ilustruar qëndrimin e tij, kreu i PAA-së kujtoi një episod nga koha kur ishte ministër, kur, sipas tij, Fatos Nano i kishte kërkuar të mos votonte kundër, por ai kishte votuar kundër ligjeve.
Duke komentuar qëndrimet e disa deputetëve socialistë që shprehën rezerva për reformën, Duka tha se ata nuk duhej të përdornin një retorikë kaq të fortë kundërshtuese, pasi, sipas tij, ishte e ditur se në fund do të votonin pro. Ai shtoi se votimi kundër mund t’i kishte ekspozuar ndaj rrezikut të përjashtimit nga grupi parlamentar.
Sa i përket Erion Braçes, i cili kundërshtoi Reformën Territoriale, Duka tha se deputeti ndodhet në një pozitë të vështirë, duke pasur parasysh afro 30 vitet e tij në PS dhe dilemën për të ardhmen brenda grupit parlamentar.
Në fund, Duka paralajmëroi se qëndrimet dhe veprimet politike mund të kenë pasoja në perceptimin publik, duke theksuar se qytetarët nuk i harrojnë lehtë ato që bëjnë politikanët, edhe kur veprojnë në kuadër të aleancave apo interesave të caktuara./ad
