Avokati Idajet Beqiri mbërriti në aeroportin e Rinasit vetëm 15–20 minuta pasi automjeti që përdorte shpesh shpërtheu në Tiranë. Një anulim fluturimi nga Brukseli bëri që ai të mos kthehej mbrëmjen e së hënës, siç ishte planifikuar, ndërsa mëngjesin e kësaj të marte, makina në pronësi të bashkëshortes së tij, avokates Nexhi Beqiri, u shkatërrua nga shpërthimi i një sasie të dyshuar lënde plasëse.
Ngjarja u regjistrua rreth orës 09:15, në rrugën “Nikolla Lena”, në zonën e Myslym Shyrit, në oborrin e pallatit ku banon çifti. Automjeti tip Mercedes-Benz GLE ishte i parkuar në momentin e shpërthimit. Fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar, por vetëm për dëme materiale.
Sipas Policisë së Tiranës, në automjet ishte vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse. “Si pasojë, janë shkaktuar vetëm dëme materiale”, thuhet në njoftimin zyrtar.
A ishte avokati objektivi i shpërthimit?
Fakti që Beqiri ndodhej jashtë vendit dhe mbërriti në Rinas pak minuta pas shpërthimit ngre pikëpyetje mbi rrethanat e ngjarjes. Megjithatë, deri tani nuk ka të dhëna zyrtare që të provojnë nëse autorët kishin dijeni për lëvizjet e tij apo nëse koha e shpërthimit ishte e lidhur me kthimin e avokatit.
Një tjetër detaj që po shqyrtohet është vendosja e lëndës plasëse në zonën e sediljeve të përparme, ku qëndrojnë drejtuesi dhe pasagjeri. Sipas informacioneve të raportuara, dyshohet se shpërthimi mund të jetë shkaktuar në mënyrë të telekomanduar, por kjo mbetet për t’u konfirmuar nga ekspertiza.
Ngjarja ndodhi pranë Gjykatës Civile të Tiranës. Grupi hetimor po punon për të zbardhur dinamikën e shpërthimit, për të identifikuar autorët dhe për të përcaktuar motivin.
Për momentin, mbetet e paqartë nëse objektiv ka qenë avokati Idajet Beqiri, bashkëshortja e tij apo nëse shpërthimi lidhet me rrethana të tjera. Përgjigjet pritet të dalin nga hetimet./ad
