Last Updated on 13/10/2026 by Monika
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka vizituar familjen e Jakup Krasniqit, ish-kryeparlamentarit dhe njërit prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili është dënuar me 25 vite burgim nga Gjykata Speciale.
Gjatë vizitës, presidentja është fotografuar duke mbajtur në prehër nipin e Jakup Krasniqit, Gegën. Fotografinë e ka publikuar në rrjetet sociale Altin Krasniqi, djali i ish-kryeparlamentarit, i cili ka bërë të ditur se familja e tij është nderuar nga prania e presidentes.
Në postimin e tij, Altin Krasniqi i ka uruar presidentes punë të mbarë dhe suksese në detyrën e saj, ndërsa ka theksuar rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit në këtë periudhë të vështirë për familjen dhe Kosovën.
“Presidentja na nderoi sot me praninë e saj. Me këtë rast, i uruam punë të mbarë dhe suksese në misionin e saj në shërbim të Republikës së Kosovës!
Në këto ditë të vështira, jo vetëm për ne si familje, por edhe për shtetin tonë, na duhet unitet, solidaritet dhe përkushtim i palëkundur në betejat ligjore, në përpjekjet për rikthimin në atdhe të çlirimtarëve tanë”, ka shkruar ai.
Më 16 shtator 2026, Gjykata Speciale e dënoi Jakup Krasniqin me 25 vite burgim për krime lufte, në kuadër të procesit gjyqësor ndaj katër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të njëjtin proces, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, u dënua me 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite dhe Rexhep Selimi me 13 vite burgim. Dënimet për të katër ish-drejtuesit e UÇK-së arrijnë në 81 vite burgim gjithsej./MXH
