Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Avokati Altin Goxhaj ka reaguar pas lirimit nga Komisariati Nr. 1 në Tiranë, ku thotë se u mbajt për rreth 10 orë pas arrestimit gjatë protestës së mbrëmshme.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Goxhaj pretendon se shkaku i arrestimit të tij ishte filmimi i një episodi gjatë protestës, kur, sipas tij, një i ri po dhunohej. Ai ka ngritur gjithashtu dyshime për arsyen pse telefoni i tij ishte karikuar gjatë kohës që ndodhej në komisariat.
“Konstatova që celulari im ishte 70% i karikuar (nga Endri Fuga), e kisha lënë më 20% kur ma rrëmbyen dje, dhe në çantë mungonte seti i karikimit!”, shkruan Goxhaj.
Avokati pretendon se mbajtja e tij në komisariat përtej përfundimit të veprimeve procedurale lidhej me përpjekje për të marrë fjalëkalimet e llogarive të tij në rrjetet sociale. Në postim, ai përmend emrin e Endri Fugës, por nuk paraqet prova që të mbështesin pretendimet e tij.
Në fund të reagimit, Goxhaj ironizon situatën, duke thënë se gjatë asaj që e cilëson si sulm ndaj tij, ka humbur syzet optike dhe maskën, ndërsa në çantë nuk ka gjetur më setin e karikimit të telefonit.
“Fuge, ke harru të më leje në çantë setin e karikimit të celularit!!!”, përfundon ai reagimin e tij.
Pretendimet e avokatit janë pjesë e reagimit të tij publik pas lirimit nga komisariati./ad
