Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja, njofton se sot, në orën 11:00, do të depozitojë në SPAK një kallëzim penal për dhunën e ushtruar ndaj studentëve, gazetarëve dhe protestuesve gjatë protestës së së martës.
Në një njoftim publik, Kalaja thekson se kallëzimi do të bëhet ndaj Ministrit të Brendshëm, Ervin Demos, Drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hitës, Oliger Torbës, shefave të disa komisariateve, katër efektivëve të pezulluar dhe drejtuesit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Kalaja bën të ditur se kallëzimi përfshin veprat penale të veprimeve arbitrare, vrasjes së mbetur në tentativë dhe vepra të tjera.
Reagimi i plotë:
Pamjet tejet e rënda të para mbrëmë gjatë protestës, lidhur me dhunën ndaj studentëve, gazetarëve dhe protestuesve të ndryshëm, tregojnë se vetëm punonjës të Policisë së Shtetit nuk janë këta barbarë.
Janë thjesht banditë me uniformë që, po bëjnë çdo veprim kriminal për mbrojtjen e regjimit.
Për gjithë dhunën e ushtruar ndaj rinisë, gazetarëve dhe protestuesve, sot, më datë 14 tetor, në orën 11.00 do depozitoj kallëzim penal në SPAK, për veprime arbitrare, vrasje e mbetur në tentativë etj., kundra:
Ervin Demo;
Skender Hita;
Oliger Torba;
Shefit të Komisiariatit Nr. 1;
Shefit të Komisiariatit Nr. 2;
Shefit të Komisiariatit Nr. 3;
Shefit të Komisiariatit Nr. 4;
Shefit të Komisiariatit Nr. 6;
4 policëve të pezulluar;
Drejtuesit të Agjensisë Mbikqyrjes Policore;
Si dhe çdo person i paidentifikuar prej nesh për veprat penale që kallëzojmë.
Të shohim nëse Klodian Braho i Dosjes 184 a do të vijojë të amnistojë banditin Ervin Demo e gjithë zinxhirin drejtues të Narco Policisë. /k.m
