Last Updated on 14/10/2026 by Anisa
Një linjë e re hekurudhore e natës do të nisë funksionimin në Gjermani më 23 mars 2027, duke lidhur Hamburgun me Mynihun përmes Bremenit dhe Augsburgut. Udhëtimi do të ofrojë hapësira individuale për çdo pasagjer, me synimin për ta bërë trenin një alternativë ndaj fluturimeve në distanca të shkurtra.
Kompania Nox Mobility, me seli në Berlin, njofton se linja e parë do të operojë tri herë në javë në secilin drejtim. Biletat njëdrejtimëshe do të kushtojnë nga 65 euro.
Projekti është pjesë e një plani më të gjerë për të krijuar një rrjet të ri trenash nate në Evropë. Kompania synon të lidhë 100 qytete evropiane deri në vitin 2035, përfshirë Parisin, Barcelonën, Amsterdamin, Kopenhagën, Varshavën, Budapestin dhe Romën.
Hapësira individuale për udhëtarët
Pasagjerët do të udhëtojnë në hapësira të quajtura “Nox Suites”, të pajisura me një ndenjëse të madhe, tavolinë për të punuar ose për të ngrënë, vend për bagazhe të mëdha dhe priza elektrike.
Gjatë natës, ndenjësja do të përshtatet në një pozicion më të rehatshëm për pushim, duke ofruar rreth dy metra hapësirë për t’u shtrirë pranë dritares.
Megjithatë, kabinat plotësisht private për fjetje, të parashikuara në planet fillestare të kompanisë, nuk do të jenë pjesë e shërbimit që në nisje. “Nox Rooms”, të projektuara për një ose dy persona, pritet të futen në përdorim nga viti 2029.
Fillimisht, kompania kishte planifikuar që shërbimi të niste në vitin 2027 me kabina private për fjetje, por projekti do të zbatohet me faza, duke filluar me hapësirat individuale me ndenjëse të përshtatshme për udhëtimin gjatë natës.
“Me Nox, çdo pasagjer ka hapësirën e tij për të punuar dhe për të pushuar”, deklaroi Thibault Constant, bashkëthemelues i kompanisë. Sipas tij, synimi është që udhëtimi me tren të ndërthurë në një shërbim të vetëm transportin, akomodimin gjatë natës dhe mbërritjen në destinacion në mëngjes.
Oraret e nisjes dhe mbërritjes
Trenat që do të udhëtojnë nga Hamburgu drejt Mynihut pritet të nisen në orën 21:22. Ata do të ndalojnë në Bremen në orën 22:30 dhe në Augsburg në orën 07:35, për të mbërritur në Mynih në orën 08:14 të mëngjesit.
Në drejtimin e kundërt, nga Mynihu drejt Hamburgut, nisja parashikohet në orën 21:20. Treni do të ndalojë në Augsburg në orën 21:51 dhe në Bremen në orën 07:20, ndërsa mbërritja në Hamburg është planifikuar për në orën 08:27.
Me këtë linjë të re, Nox Mobility synon të ofrojë një mënyrë alternative udhëtimi për ata që duan të përshkojnë distanca të gjata gjatë natës dhe të mbërrijnë në destinacion në orët e para të mëngjesit.
