Asnjë sportist profesionist nuk ka përjetuar një jetë aq të trazuar sa boksieri Mike Tyson.
Megjithatë, ish-kampioni i botës në peshat e rënda thotë se nuk e kupton pse njerëzit vazhdojnë të jenë kaq të interesuar për historinë e tij, e cila rrëfehet sërish në dokumentarin e ri me katër episode të Netflix, të titulluar “TYSON”.
“Nuk e kuptoj pse duan ende të dinë për mua”, thotë Tyson, tashmë 60 vjeç, për revistën PEOPLE, duke qeshur. “Kanë bërë kaq shumë dokumentarë për mua! Por besoj se e kuptoj. Ky është i mirë. Megjithatë, ka shumë gjëra që është e vështirë t’i rikthej në kujtesë”.
Seriali trajton momentet më të mira dhe më të vështira të jetës së boksierit: nga fëmijëria e vështirë në varfëri dhe arrestimet e shumta për vjedhje, deri te shpallja kampion bote në peshat e rënda, fitimi i qindra milionë dollarëve nga ndeshjet dhe humbja e një pjese të madhe të pasurisë. Fama e tij botërore u ndërtua si nga talenti në ring, ashtu edhe nga sjelljet e tij kontroverse jashtë tij.
Dokumentari ndalet edhe te humbjet e rënda personale, mes tyre vdekja e nënës, e trajnerit dhe e vajzës së tij 4-vjeçare, lufta me varësinë nga kokaina dhe alkooli, martesa e trazuar me Robin Givens, tradhtitë financiare nga miq dhe menaxherë të dikurshëm, akuzat për përdhunim dhe qëndrimi për dy vite në burg.
“E shkuara është e shkuar”, thotë Tyson, i cili tashmë feston dhjetë vite pa konsumuar alkool dhe kokainë. “Por kujtimet tona mbeten të burgosura përgjithmonë në mendjet tona”.
Nga fëmijëria e vështirë te kampion bote
Një nga episodet më të njohura të jetës së tij mbetet ndeshja famëkeqe me Evander Holyfield në vitin 1997, kur Tyson i kafshoi kundërshtarit veshin dy herë gjatë përballjes.
Ai pranon se nuk ndihet rehat kur flet për atë ngjarje.
“Shumë njerëz menduan se ishte diçka e mirë për t’u bërë. Thoshin: ‘Po, a nuk ishte fantastike?’ Por unë ende ndihem në siklet për këtë”, rrëfen ai.
Episodi i parë i dokumentarit rikthehet te fëmijëria e Tyson dhe momenti kur talenti i tij u zbulua në moshën 13-vjeçare. Pasi mori pjesë në një kurs boksi në qendrën e paraburgimit për të mitur ku ishte dërguar, ai ra në sy të trajnerit legjendar Cus D’Amato, i cili kishte një palestër në Catskill, Nju Jork.
Tyson u dashurua me boksin dhe filloi të përmirësohej edhe në shkollë, duke arritur nivelin e duhur të leximit brenda vetëm një muaji.
D’Amato u bë kujdestari i tij ligjor dhe e mori të jetonte në shtëpinë e tij, së bashku me boksierë të tjerë të talentuar që stërviste. Trajneri e trajtonte Tyson si djalin e vet dhe ndikimi i tij ndryshoi rrjedhën e jetës së të riut.
“Ai më dha vetëbesim. Më dha karakter. Më bëri të besoja te vetja dhe te ajo që mund të arrija”, kujton Tyson.
Pasi ishte rritur me pak para dhe me vetëvlerësim të ulët, ai thotë se besimi që i dha trajneri ishte vendimtar.
“T’i japësh një djali të ri vetëbesim është shumë e rëndësishme. I tregon se është i aftë dhe se është në rregull. Besoj se të gjithë mund ta kuptojnë sa e rëndësishme është kjo”, shprehet ai.
Tyson kujton se D’Amato e inkurajonte vazhdimisht dhe e ndihmonte të besonte te vetja, duke e motivuar të bëhej kampion. Sipas tij, pikërisht ky ndikim e largoi nga jeta e krimit dhe e përqendroi te boksi.
“Nuk isha njeri, isha një produkt”
D’Amato ndërroi jetë në vitin 1985, në moshën 77-vjeçare. Tyson thotë se, në vitet që pasuan, u përball me tradhti nga miq, menaxherë dhe promovues, të cilët i morën paratë ose nuk vepruan në interesin e tij.
Ai beson se prania e trajnerit do ta kishte mbrojtur nga shumë prej këtyre situatave.
“Cus më mbronte gjithmonë. Ai do të më kishte mbrojtur. Por unë nuk isha njeri. Isha një produkt. Kjo është mënyra se si funksionon jeta e një sportisti profesionist. Nuk mund të përfshihen ndjenjat. Ajo që ka rëndësi është misioni”, thotë ai.
Duke reflektuar mbi jetën e tij, përfshirë martesën e trazuar 1-vjeçare me aktoren Robin Givens dhe akuzën për përdhunim, të cilën e ka mohuar vazhdimisht, por për të cilën vuajti dy vite burg, Tyson thotë se nuk pendohet për të kaluarën.
“Gjithçka që quhej ‘negative’ përfundoi duke u kthyer në diçka pozitive për mua”, shprehet ai.
Sot, ish-kampioni thotë se i kushton më shumë kohë familjes dhe se ka kaluar dhjetë vite pa konsumuar alkool apo kokainë. Ai sqaron se vazhdon të konsumojë kanabis.
“Jam shumë mirënjohës për të gjitha, sepse më kanë bërë një njeri më të mirë. Për gjithçka të keqe që më ka ndodhur, jam mirënjohës”, përfundon Tyson./mxh
