Gati 40% e popullsisë shqiptare është në rrezik për të qenë e varfër ose e përjashtuar nga shoqëria, pavarësisht përmirësimit të lehtë të treguesve të nivelit të jetesës gjatë vitit 2025.
Treguesit e varfërisë mbetën kokëfortë edhe pse ekonomia e vendit po rritet mbi mesataren e dekadës dhe monedha vendase është rritur më ritmin më të lartë në këmbim me euron ndër të gjitha valutat europiane.
Sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT në Anketën e të Ardhurave dhe Nivelit të Jetesës, treguesi i rrezikut për varfëri ose përjashtim social arriti në 39,4% të popullsisë në vitin 2025, nga 40,5% që ishte një vit më parë, duke shënuar një rënie me vetëm 1,1 pikë përqindje.
Ky tregues përfshin individët që janë në rrezik për varfëri për shkak të të ardhurave të ulëta, ata që përballen me privime të rënda materiale dhe sociale, si dhe personat që jetojnë në familje me intensitet shumë të ulët punësimi.
Megjithëse shifra ka ardhur në rënie, ajo tregon se një pjesë e konsiderueshme e popullsisë vazhdon të përballet me vështirësi ekonomike dhe sociale.
Sipas INSTAT, treguesi i rrezikut për të qenë i varfër, i matur vetëm mbi bazën e të ardhurave, ishte 19% në vitin 2025, nga 19,2% në vitin 2024.
Kufiri i rrezikut për varfëri për një individ arriti në 349.565 lekë në vit, nga 324.336 lekë një vit më parë. Kjo do të thotë se një person me të ardhura të disponueshme të ekuivalentuara më të ulëta se rreth 29.130 lekë në muaj konsiderohet në rrezik për varfëri, sipas metodologjisë së përdorur nga INSTAT.
Ky është një tregues i varfërisë relative, që përcaktohet në nivelin 60% të medianës së të ardhurave të disponueshme të ekuivalentuara të familjeve.
Mbi 31% e popullsisë përballet me privime të rënda materiale dhe sociale
Një tjetër tregues që dëshmon vështirësitë ekonomike të familjeve shqiptare është shkalla e thelluar e privimit material dhe social.
Sipas INSTAT, në vitin 2025 ky tregues ishte 31,2%, nga 32,8% në vitin 2024.
Privimi i thelluar material dhe social nënkupton pamundësinë për të përballuar të paktën shtatë nga trembëdhjetë nevoja të përcaktuara nga metodologjia statistikore.
Mes tyre përfshihen pamundësia për të përballuar një javë pushime jashtë shtëpisë, një shpenzim të paparashikuar prej 30 mijë lekësh, ngrohjen e përshtatshme të banesës, një vakt me mish, peshk ose ekuivalentin e tyre çdo dy ditë, si dhe nevoja të tjera të jetës së përditshme.
Ndërkohë, 8,3% e individëve të grupmoshës 18-64 vjeç jetonin në familje me intensitet shumë të ulët punësimi, nga 8,4% në vitin e mëparshëm.
Familjet me fëmijë, më të rrezikuarat nga varfëria
Të dhënat tregojnë se rreziku për varfëri është dukshëm më i lartë në familjet me fëmijë në varësi.
Në vitin 2025, 24,5% e individëve që jetonin në këto familje ishin në rrezik për të qenë të varfër, krahasuar me vetëm 11% të individëve në familjet pa fëmijë në varësi.
Megjithatë, krahasuar me vitin 2024, rreziku për varfëri në familjet me fëmijë është ulur nga 24,8% në 24,5%, ndërsa në familjet pa fëmijë është rritur nga 10,5% në 11%.
Sipas grupmoshave, fëmijët deri në 17 vjeç regjistruan përmirësimin më të madh, me një ulje të rrezikut për varfëri prej 0,4 pikë përqindjeje.
Për individët e moshës 18-64 vjeç, treguesi zbriti lehtë në 18,5%, nga 18,6% një vit më parë. Në të kundërt, për popullsinë mbi 65 vjeç, rreziku për varfëri u rrit me 0,2 pikë përqindjeje.
Të ardhurat rriten me 10,5%, por pabarazia thellohet
Megjithëse treguesit e varfërisë kanë shënuar një përmirësim të lehtë, pabarazia në shpërndarjen e të ardhurave është rritur.
Sipas INSTAT, të ardhurat mesatare mujore të disponueshme për frymë, të ekuivalentuara, arritën në 56.487 lekë në vitin 2025, nga 51.122 lekë në vitin 2024, me një rritje prej 10,5%.
Ndërkohë, koeficienti Gini, që mat pabarazinë në shpërndarjen e të ardhurave, u rrit në 30,37%, nga 29,83% në vitin 2024.
Edhe raporti i të ardhurave ndërmjet 20% të popullsisë me të ardhurat më të larta dhe 20% me të ardhurat më të ulëta u rrit nga 4,79 në 4,83 herë.
Kjo tregon se, krahas rritjes së të ardhurave mesatare, diferencat ekonomike mes shtresave të popullsisë janë zgjeruar./monitor-ad
