Endri Tafani ka reaguar lidhur me pamjet e përplasjes mes policisë dhe protestuesve, duke kritikuar mënyrën se si një efektiv policie trajton një adoleshent gjatë protestës. Sipas tij, veprimet e policisë në këtë rast kanë ndikuar në përshkallëzimin e situatës dhe në humbjen e respektit ndaj autoritetit.
Në reagimin e tij, Tafani analizon momentin kur një pjesë e turmës po dëmtonte fasadën e një biznesi shtetëror dhe protestuesit u larguan me afrimin e policisë. Ai pretendon se situata ndryshoi kur një efektiv, në vend që të ndalonte adoleshentin sipas procedurave ligjore, e përplasi në tokë dhe e goditi në kokë me shkop.
Tafani e cilëson këtë veprim si të papranueshëm dhe argumenton se reagimi i turmës erdhi si pasojë e perceptimit të dhunës ndaj të miturit. Sipas tij, mbrojtja e fëmijëve është një ndjenjë humane, veçanërisht në një shoqëri si ajo shqiptare, ku lidhjet mes njerëzve janë të forta.
Ai thekson se situata mund të ishte zgjidhur pa pasoja për punonjësit e policisë, nëse do të ishte zbatuar ligji dhe do të ishin respektuar procedurat. Tafani shprehet gjithashtu se ka pamje të tjera ku, sipas tij, efektivët godasin të rinj të shtrirë në tokë ose përdorin forcën në mënyrë të pajustifikuar.
Në reagimin e tij, ai ngre pikëpyetje mbi profesionalizmin e policisë dhe mënyrën se si ushtrohet autoriteti ndaj protestuesve, duke e cilësuar si të neveritshme përdorimin e forcës ndaj adoleshentëve të shtrirë në tokë apo të rrethuar nga disa efektivë.
Tafani shkon më tej në kritikat e tij, duke përmendur edhe akuzat për lidhje të disa drejtuesve dhe punonjësve të policisë me krimin, si dhe duke vënë në pikëpyetje pavarësinë e institucionit.
Në përfundim, ai shprehet se, pavarësisht 36 viteve të kaluara, Shqipëria ende nuk ka arritur të krijojë një polici profesionale dhe pretendon se institucioni është shndërruar në një strukturë në shërbim të kryeministrit.
“E gjitha kjo tregon që në 36 vjet nuk kemi arritur akoma të kemi një polici profesionale, por kemi krijuar një polici private të kryeministrit për ti ruajtur karrigen dhe kjo është pjesë e problemit”, përfundon reagimin e tij Endri Tafani./ad
