Edon Zhegrova është kthyer në një nga paradokset më të mëdha të Juventusit këtë sezon. Pavarësisht se sa herë aktivizohet arrin të ndryshojë ritmin e lojës dhe të sjellë rrezik në sulm, futbollisti i Kosovës ende nuk ka nisur asnjë ndeshje si titullar nën drejtimin e Luciano Spallettit.
Paraqitjet e tij si zëvendësues kanë ngritur pikëpyetje mbi rolin që trajneri italian i ka rezervuar në skuadër. Juventusit shpesh i mungon befasia në fazën sulmuese, ndërsa Zhegrova ka treguar se mund të sjellë pikërisht atë që i duhet ekipit: driblime, shpërthime individuale dhe ndryshim të menjëhershëm të ritmit.
Një shembull ishte edhe ndeshja ndaj Cagliarit, ku sulmuesit i mjaftuan vetëm 20 minuta për të lënë gjurmë dhe për të tërhequr vëmendjen me cilësitë e tij. Paraqitja e tij ka forcuar argumentet e atyre që kërkojnë më shumë minuta për futbollistin kosovar.
Situata është edhe më e çuditshme për shkak të së kaluarës së tij. Sezonin e kaluar, Zhegrova u përball me probleme fizike dhe nuk arriti të shënonte apo të regjistronte asistime, çka bëri që e ardhmja e tij në Torino të vihej në diskutim. Megjithatë, ai qëndroi te Juventusi dhe tashmë po përpiqet të fitojë një rol më të rëndësishëm.
Përveç minutave të kufizuara në kampionat, Zhegrova nuk është përfshirë në listën e Juventusit për kompeticionin europian. Kjo do të thotë se, në një moment kur skuadra ka nevojë për më shumë kreativitet dhe paparashikueshmëri, Spalletti nuk mund të mbështetet tek ai në ndeshjet europiane.
Debati në Itali është ndarë mes atyre që e shohin Zhegrovën si një lojtar që meriton të jetë titullar dhe atyre që mendojnë se aftësitë e tij mund të shfrytëzohen më mirë si një armë nga stoli. Ndërkohë, Juventusi vijon të kërkojë ekuilibrin mes organizimit taktik dhe kreativitetit në sulm.
Zhegrova duket se ka cilësitë për të sjellë një dimension tjetër në lojën e bardhezinjve, por mbetet për t’u parë nëse Spalletti do t’i besojë më shumë minuta.
Për momentin, futbollisti kosovar mbetet një nga enigmat më interesante të Juventusit: një lojtar që mund të ndryshojë ndeshjet, por që ende pret mundësinë për të treguar vlerat e tij që nga minuta e parë./k.m
