Last Updated on 15/10/2026 by Monika
Deputeti i PS-së, Erjon Lamaj, apel për të rinjtë: “Mos i përdorni për beteja të dhunshme”
Deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Lamaj, ka përcjellë një apel publik për të mos përfshirë të rinjtë në akte dhune, duke theksuar se siguria, dinjiteti dhe e ardhmja e tyre duhet të jenë mbi çdo interes politik.
Duke folur edhe nga përvoja e tij mbi 10-vjeçare në jetën universitare, në auditorë dhe në kontakt të drejtpërdrejtë me studentët, Lamaj nënvizon se i njeh nga afër shqetësimet, ëndrrat dhe ambiciet e brezit të ri.
Ai u bën thirrje që të rinjtë të mos përdoren për beteja të dhunshme dhe që zëri i tyre të mos humbasë mes përplasjeve dhe interesave të errëta.
Një mesazh të veçantë deputeti socialist ka edhe për prindërit, të cilëve u kërkon të qëndrojnë pranë fëmijëve të tyre, të komunikojnë me ta dhe t’i ndihmojnë të kuptojnë dallimin mes protestës, si një e drejtë demokratike, dhe dhunës që mund të rrezikojë të ardhmen e tyre.
“Asgjë nuk vlen më shumë se siguria, dinjiteti dhe e ardhmja e fëmijëve tanë”, thekson Lamaj.
Sipas tij, energjia e të rinjve është një nga forcat më të mëdha të vendit dhe meriton të dëgjohet e të respektohet, e jo të instrumentalizohet për interesa të caktuara.
Në përfundim të apelit të tij, deputeti i PS-së nënvizon se të rinjtë duhet të jenë protagonistë të së ardhmes së tyre dhe jo instrumente të keqpërdorura në përplasje të dhunshme./mxh
