Last Updated on 17/10/2026 by EL
Mbi 1 ton prodhime deti të ngrira janë bllokuar nga autoritetet doganore, pasi gjatë kontrollit të një mjeti transporti u konstatua se sasia e mallrave ishte më e madhe se ajo e deklaruar zyrtarisht.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, mjeti ishte përzgjedhur për kontroll që në momentin e hyrjes në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës dhe ishte mbajtur nën vëzhgim nga strukturat e monitorimit.
Kontrolli u krye në kuadër të një operacioni të zhvilluar nga Sektori i Monitorimit dhe Drejtoria e Antikontrabandës, në bashkëpunim me Degën Doganore Vlorë.
“Doganat bllokojnë mbi 1 mijë kg prodhime deti të ngrira
Në kuadër të kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin dhe goditjen e kontrabandës e shmangies së detyrimeve doganore, strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, nëpërmjet Sektorit të Monitorimit dhe Drejtorisë së Antikontrabandës, kanë finalizuar me sukses një operacion kontrolli në bashkëpunim me Degën Doganore Vlorë.
Mbështetur në informacionin e siguruar, një mjet transporti është selektuar dhe mbajtur nën mbikëqyrje nga Zyra e Monitorimit, që në momentin e hyrjes në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë. Nga kontrolli i ngarkesës rezultoi se mjeti transportonte një sasi prej mbi 1,000 kg më shumë se sa deklarimi zyrtar produkte deti të ngrira (konkretisht +700 kg kallamar dhe +336 kg skampi).
Pas bllokimit të sasisë së mallit, autoritetet doganore po ndjekin procedurat e mëtejshme ligjore e administrative ndaj subjektit përgjegjës lidhur me detyrimin doganor të munguar.
Strukturat e Administratës Doganore mbeten të përkushtuara maksimalisht në luftën kundër kontrabandës, garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e interesave financiare të shtetit“, shkruhej në njoftimin e Doganave./ET
