Last Updated on 17/10/2026 by EL
Futbollisti i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ka reaguar për protestën e studentëve në Tiranë, duke dalë në mbështetje të të rinjve dhe duke kundërshtuar dhunën ndaj qytetarëve që kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, sulmuesi shqiptar ka vënë theksin te rëndësia e studentëve dhe sakrificat që qëndrojnë pas rrugëtimit të tyre. Sipas tij, pas çdo të riu ka një familje që investon, përpiqet dhe shpreson për një të ardhme më të mirë, ndaj studentët meritojnë mbështetje dhe mundësi për të realizuar synimet e tyre.
Uzuni është ndalur edhe te përgjegjësia që kanë ata që mbajnë uniformën e Policisë së Shtetit, duke e lidhur këtë me përvojën e tij si futbollist që përfaqëson Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
“Pas çdo studenti qëndron një ëndërr dhe sakrifica e një familjeje. Ata meritojnë mbështetje dhe mundësi për të ecur përpara.
Si sportist, kam përjetuar krenarinë që të jep përfaqësimi i vendit tënd. Besoj se edhe uniforma e policisë duhet të mbahet me atë ndjenjë përgjegjësie për njerëzit të cilëve u shërben.
Kur veshim një uniformë që përfaqëson Shqipërinë, mbajmë mbi supe besimin e njerëzve tanë. Është përgjegjësia jonë ta nderojmë atë me sjelljen dhe veprimet tona.
Respekt për çdo polic që shërben me ndershmëri dhe vetëpërmbajtje. Dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë është e papranueshme. Qytetarët meritojnë të dëgjohen dhe të ndihen të mbrojtur nga ata që kanë detyrën të kujdesen për sigurinë e tyre.
Kam respekt për Policinë e Shtetit dhe për çdo punonjës që kryen detyrën me ndershmëri e përkushtim. Veprimet e disa individëve nuk përfaqësojnë të gjithë policinë”, shkruan Uzuni në Instagramin e vet.

