Nga Leonard Veizi
Vargjet e tij ishin proverbiale:
“Punë, punë natë e ditë / që të shohim pakëz dritë”
Dhe për më tej:
“Në mes tuaj kam qëndruar / dhe jam duke përvëluar”
…Më 20 tetor 1900, në Stamboll, mbylli sytë përgjithmonë Naim Frashëri, një nga figurat më të shquara të kombit shqiptar. Për së gjalli u quajt “apostulli i shqiptarizmës” dhe “bilbili i gjuhës shqipe” – epitete që përmbledhin më së miri rolin e tij si poet, shkrimtar dhe mendimtar qendror i Rilindjes Kombëtare.
Naimi lindi më 25 maj 1846 në Frashër të Përmetit. Pas humbjes së prindërve, familja u shpërngul në Janinë më 1865, nën kujdesin e vëllait të madh, Abdyl Frashërit. Atje, së bashku me të vëllanë, Sami Frashërin, ndoqi gjimnazin e njohur grek “Zosimea”, të cilin e përfundoi më 1869. Aty u njoh me letërsinë dhe filozofinë evropiane, veçanërisht me idetë e Iluminizmit dhe me Rousonë e Volterin.
Jeta e tij u shënua nga detyra administrative dhe nga sëmundje të rënda. Punoi si drejtor dogane në Sarandë mes viteve 1874-1876, qëndroi për kurim në banjat e Badenit në Austro-Hungari dhe shërbeu si drejtor i të dhjetave në Berat në vitin 1878. Pas arrestimit të Abdylit në vitin 1881, përfshirja e tij patriotike u bë edhe më aktive.
Më 1882 u vendos përfundimisht në Stamboll, ku mbajti poste të larta në administratën arsimore osmane – anëtar e kryetar i Komisionit të Inspektimit, drejtues i Këshillit të Lartë të Arsimit dhe zëvendësministër i Arsimit. Nga këto pozita ndihmoi çështjen shqiptare, duke firmosur më 14 gusht 1882 lejen për botimin e gramatikës së shqipes të Kostandin Kristoforidhit. Ishte pjesë e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip.
Kontributi më i madh mbetet vepra letrare. Me “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e Verës”, “Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja”, ai i dha letërsisë shqipe një mision kombëtar: atdheu si vlerë e shenjtë dhe gjuha shqipe si shenjë bashkimi.
Një pjesë e rëndësishme e veprimtarisë së tij u përqendrua në mbështetjen e lëvizjes kombëtare shqiptare. Naimi mori pjesë në punën e Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare dhe në veprimtarinë e Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip. Në një periudhë kur përdorimi i shqipes në arsim dhe botime ndeshte pengesa të shumta, ai e kuptoi se gjuha ishte një nga shtyllat themelore të identitetit kombëtar. Përmes shkrimeve, botimeve dhe angazhimit të tij, mbështeti përhapjen e shqipes së shkruar dhe idenë se shqiptarët duhej të kishin shkollat, kulturën dhe letërsinë e tyre kombëtare.
Naimi ishte intelektual poliglot – autor i 22 veprave gjithsej: 15 në shqip, 4 në osmanisht, 2 në persisht dhe 2 në greqisht, siç ka theksuar edhe studiuesi Robert Elsie.
Ai e shndërroi letërsinë në mjet zgjimi kombëtar.
Vdiq në Stamboll, por vargjet dhe idetë e tij vazhdojnë të frymëzojnë breza të tërë për arsim, liri dhe përparim kombëtar.
