Drejtuesit e Juventusit kanë vendosur të vazhdojnë rrugëtimin me Luciano Spallettin në pankinë, por ky besim vjen me një afat të qartë skadence. Tekniku italian mbetet për momentin i palëkundur në pozicionin e tij, ndonëse presioni nga lart është shtuar ndjeshëm për të gjetur zgjidhje të menjëhershme që do të nxirrnin skuadrën nga kjo periudhë e errët.
E ardhmja e tij do të varet tërësisht nga tre përballjet e radhës kundër Renes, Lecces dhe Genoas. Këto sfida do të jenë një provë e vërtetë force, jo vetëm për llogaritë e klasifikimit, ku skuadra mban vendin e parë në Ligën e Evropës por gjendet katër pikë larg zonës Champions në Serinë A, por sidomos për të dëshmuar nëse trajneri e ka ende nën kontroll dhomën e zhveshjes.
Disfata e rëndë me shifrat 3-0 e pësuar në shtëpi përballë Lazios ka shërbyer si një kambanë alarmi për aventurën e tij bardhezi. Edhe pse ka plot një vit që punon në Torino, Spalletti ka dështuar t’i japë ekipit identitetin e premtuar në fillim. Statistikat janë treguesi më i qartë i krizës: me vetëm 11 pikë të grumbulluara, ai ka bërë një nisje më të dobët kampionati sesa paraardhësi i tij, Igor Tudor.
Krerët më të lartë të klubit, po analizojnë me detaje nëse skuadra ka ende hapësirë për t’u rritur, apo ka hyrë në një rënie të lirë. Megjithëse për momentin po i jepet një tjetër shans, mbi kokën e Spallettit po vërtitet hija e Antonio Contes, i cili mbetet ëndrra e madhe e tifozëve torinezë për një rikthim të mundshëm.
Nga ana e tij, Luciano Spalletti nuk ka asnjë ndërmend të ngrejë flamurin e bardhë. Ai e pranoi sfidën e Juventusit me një kontratë fillestare 8-mujore pikërisht për të pastruar imazhin e tij pas dështimit me ekipin kombëtar. Gjithsesi, koha nuk pret dhe bardhezinjve u duhet një kthesë urgjente për të mos komprometuar të gjithë sezonin./mxh
