Last Updated on 20/10/2026 by EL
Vite më parë, gjatë një vizite pune si gazetar në kompaninë e prodhimit të verërave Stone Castle, në Rahovec, pata mundësinë të njihesha nga afër me një prej ndërmarrjeve më mbresëlënëse të këtij sektori. Impresionet nga kantina dhe vreshtat e saj të pafundme ishin të mrekullueshme.
Drejtori i kompanisë, Shani Mullabazi, po më shpjegonte gjerë e gjatë historikun e saj, duke e shoqëruar rrëfimin me detaje dhe të dhëna interesante, të cilat kishin tërhequr plotësisht vëmendjen time. Biseda ishte e këndshme, profesionale dhe plot informacion. Derisa, në një moment, personi i tretë që ishte i pranishëm ndërhyri për të më pyetur rreth situatës politike në Shqipëri.
Mbaj mend që në atë kohë kishte një lloj krize politike, por nuk më kujtohet më se për çfarë bëhej fjalë. Ajo që mbaj mend është se iu përgjigja me ndershmëri, duke i shpjeguar situatën aq sa dija.
Dhe ja ku vjen momenti që më ka mbetur në kujtesë.
– O burra, Shani! Të kapim sakicat dhe të nisemi për në Tiranë! – iu drejtua ai drejtorit.
– Kundër kujt do t’i përdorësh sakicat ti? Kundër vëllezërve të tu shqiptarë? – i thashë unë, duke ndërhyrë për ta devijuar vëmendjen dhe për ta rikthyer bisedën te Shaniu.
Ky i fundit, një intelektual i vërtetë, i diplomuar në Ekonomi dhe me një karrierë të pasur menaxheriale, priti momentin e duhur për të më thënë:
– Mos ia vër shumë veshin asaj që tha ai, se nuk është fort në rregull.
-Dakord, – iu përgjigja. – Mund të mos jetë fort në rregull nga mendtë, por ja që mendja e tij e çrregullt e çon drejt sakicës, të cilën është gati ta përdorë kundër shqiptarëve të Shqipërisë.
Dhe aty mbaroi historia. Të paktën për atë ditë.
E kisha harruar prej kohësh këtë episod, por kohët e fundit ai më është rikthyer shpesh në mendje. Sa herë shoh kosovarë që përfshihen në punët e Shqipërisë, jo për të qetësuar, pajtuar e ulur tensionet, por për t’i acaruar edhe më shumë, më shfaqet para syve ai njeri i gatshëm për të marrë sakicën. Sigurisht, sot sakica nuk është domosdoshmërisht një mjet i vërtetë. Ajo ka marrë forma të tjera, shumë më të përshtatshme për kohën që jetojmë. Për disa, është pjesëmarrja e drejtpërdrejtë në aktivitete politike apo publike, me synimin për t’i hedhur benzinë zjarrit. Për të tjerë, janë këshillat e pakërkuara, analizat subjektive që shtrembërojnë realitetin dhe faktet, apo lajmet e rreme që krijohen, sajohen dhe shpërndahen me një qëllim të vetëm: ta bëjnë zjarrin edhe më të madh. Dhe e gjithë kjo, për çfarë?
Unë kam shumë miq në Kosovë. Biznesmenë, gazetarë, analistë, politikanë e qytetarë të zakonshëm. Me ta më lidhin marrëdhënie njerëzore e profesionale, por edhe një përkatësi kombëtare që nuk ka nevojë të provohet përmes debateve politike.
Asnjëherë nuk jam interesuar veçanërisht për bindjet e tyre politike. Asnjëherë nuk jam përpjekur të hyj në debate me ta për mënyrën se si e vlerësojnë situatën e brendshme në Kosovë, qeverisjen, opozitën apo zhvillimet e tjera politike. Jo sepse nuk kam mendime për këto çështje. As sepse më mungon dëshira apo aftësia për të analizuar politikën kosovare, e cila, për hir të së vërtetës, nuk është gjithmonë në një nivel të tillë sa të të vërë përballë dilemave të mëdha intelektuale. Por sepse është çështje parimi.
Kosova ka politikën e saj, problemet e saj, konfliktet e saj të brendshme dhe mënyrën e vet për t’i zgjidhur ato. Shqiptarët e Kosovës kanë të drejtën të diskutojnë, të kritikojnë, të mbështesin apo të kundërshtojnë qeverinë dhe opozitën e tyre, pa pasur nevojë që unë, apo dikush tjetër nga Shqipëria, t’u tregojë se si duhet ta bëjnë këtë.
Për mua, kjo quhet respekt. Respekt për një shoqëri tjetër shqiptare, me të cilën ndajmë shumëçka, por që ka edhe realitetin e vet politik, shoqëror e institucional. Ndaj më duket e çuditshme që një numër jo i vogël kosovarësh i janë turrur Shqipërisë, secili i armatosur me sakicën e vet.
Dikush vjen me bindjen se e di më mirë se ne se çfarë po ndodh këtu. Dikush tjetër merr përsipër të na shpjegojë se kush janë të mirët dhe kush të këqijtë. Të tjerë përpiqen të ndikojnë në zhvillimet tona, jo përmes argumenteve të ndershme, por duke ushqyer përplasjet, duke shtrembëruar faktet apo duke i shërbyer njërit krah politik kundër tjetrit.
Secili prej tyre mund të jetë i bindur se po bën gjënë e duhur. Por bindja se ke të drejtë nuk të jep automatikisht të drejtën të bëhesh pjesë e një konflikti që nuk të përket, aq më pak kur mënyra se si ndërhyn e bën atë edhe më të ashpër.
Për një kohë të gjatë, ideja e bashkimit mes shqiptarëve është shoqëruar me emocione të forta, me dëshirën për t’u afruar, për të bashkëpunuar dhe për të kapërcyer ndarjet e historisë. E kemi përfytyruar këtë afrim si një proces që do të na bënte më të fortë, më të bashkuar dhe më të aftë për të përballuar sfidat e përbashkëta. Por, nëse vazhdojmë kështu, rrezikojmë të ecim në drejtimin e kundërt. Nga dëshira për bashkim mund të përfundojmë në një situatë ku shqiptarët e Shqipërisë dhe ata të Kosovës fillojnë t’i drejtojnë njëri-tjetrit sharje, akuza e mallkime. Jo sepse kanë interesa të papajtueshme, por sepse disa njerëz, të nxitur nga bindjet, interesat apo pasionet e tyre politike, po bëjnë gjithçka për t’i thelluar ndarjet. Dhe kjo do të ishte një humbje e madhe për të dyja palët.
Sepse bashkimi nuk ndërtohet duke u përzier me çdo kusht në punët e tjetrit. As duke i dhënë leksione njëri-tjetrit. Aq më pak duke marrë sakicat për të goditur njëri-tjetrin, qoftë edhe në kuptimin metaforik të fjalës. Për të ruajtur vëllazërinë, duhet të dish edhe kur të mos ndërhysh.
Por mbi të gjitha, duhet të dish ku ta drejtosh sakicën. Sepse nëse e ke mendjen gjithmonë te goditja e vëllait, herët a vonë do të përfundosh duke e kthyer në armik atë që dikur e konsideroje vëlla.
