Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka lëshuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e krahasuar mënyrën e tij të qeverisjes me atë të ish-presidentit të Venezuelës, Hugo Chávez.
Në “MCN Live”, Mediu deklaroi se vendi ndodhet përpara një situate problematike që po eskalon çdo ditë e më shumë, për shkak të asaj që ai e quajti një qeverisje të zhytur në korrupsion dhe arrogancë.
Sipas kreut të PR-së, protestat e qytetarëve janë plotësisht të ligjshme, pasi shoqëria shqiptare nuk mund të pranojë më një realitet ku institucionet janë të asgjësuara.
”Forma mund të jenë të ndryshme, por qëllimi është i njëjtë: njerëzit nuk duan qeverisje të korruptuar, narkoshtet dhe qeveri të zhytur në afera korruptive, e mbi të gjitha nuk duan një kryeministër që sillet në mënyrë arrogante. Kjo është një situatë problematike që po eskalon gjithnjë e më shumë, ku Edi Rama po sillet si Hugo Chávez që godiste në mënyrë barbare kundërshtarët, teksa mendimet e tij janë në ndesh me frymën e dialogut, pasi ai mendon se është perëndia.”
Më tej, Mediu u ndal te roli i Policisë së Shtetit dhe te situata ku ndodhen institucionet kryesore të vendit, duke theksuar se nuk ka më hapësirë për dialog me qeverinë aktuale, pasi çdo gjë kontrollohet nga kreu i ekzekutivit.
”Policia betohet para Kushtetutës dhe duhet të mbrojë lirinë e qytetarëve dhe jo kolltukun e kryeministrit. Kur ti reflekton një sjellje arrogante dhe të gjithë rreth teje janë njerëz që duhet t’i binden tekave të tua, atëherë Rama kërkon të imponojë dhe jo të bëjë dialog, prandaj protestuesit kanë të drejtë legjitime. Ne nuk kemi më shtet, sepse çdo institucion që mund të ofrojë dialog është nën urdhrat e Edi Ramës; sot ti nuk ke më as President dhe as Parlament. Protesta nuk është më vetëm e studentëve, por e të gjithë shoqërisë, sepse Rama nuk kërkon dialog, por kërkon vetëm të imponojë.”
Në mbyllje të qëndrimit të tij, kryetari i Partisë Republikane nënvizoi se e vetmja rrugëdalje nga kjo krizë politike mbetet largimi i kryeministrit dhe krijimi i një ekzekutivi tranzitor.
”Dorëheqja e kryeministrit është e para, e pasuar nga zgjedhjet e lira e të ndershme dhe një qeveri teknike, që të shmanget njëherë e përgjithmonë kjo politikë që mendon se e ka gjithçka në dorë.”/ad
