Platforma evropiane e tregtisë online Vinted ka marrë masa për të identifikuar dhe hequr njoftimet që lidhen me shitjen e mallrave të vjedhura nga dyqanet gjatë protestave në Francë.
Sipas gazetës italiane La Stampa, në orët e fundit në platformën e shitjeve të produkteve të përdorura mes individëve janë shfaqur njoftime të dyshimta, të lidhura me plaçkitjet e dyqaneve gjatë protestave.
Vinted, e cila e ka Francën tregun e saj kryesor, bëri të ditur se ka ndërmarrë masa të menjëhershme për të identifikuar dhe hequr njoftimet e lidhura me këto raste, si dhe ka forcuar monitorimin e përmbajtjeve të dyshimta.
Kompania deklaroi se do të ndjekë një politikë të tolerancës zero ndaj këtij fenomeni dhe se do të bashkëpunojë me autoritetet përkatëse.
Lajmi vjen në një kohë kur platformat e tregtisë elektronike përballen me sfida në kontrollin e produkteve të publikuara nga përdoruesit, veçanërisht kur ekzistojnë dyshime për origjinën e tyre./mxh
