Aktorja e njohur turke Demet Özdemir ka kaluar momente të vështira në Stamboll, pasi reshjet e dendura të shiut përmbytën studion e xhirimeve ku ndodhej. Ajo mbeti e bllokuar për disa orë, së bashku me dhjetëra punonjës dhe persona të tjerë, derisa ekipet e emergjencës ndërhynë për t’i evakuuar.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 14 tetorit në studiot Phoenix, në zonën Ayazağa. Uji depërtoi në ambientet e studios, niveli i tij vazhdoi të rritej dhe energjia elektrike u ndërpre, duke e bërë të pamundur largimin në mënyrë të sigurt.
E shqetësuar nga situata, aktorja iu drejtua autoriteteve përmes rrjeteve sociale, duke njoftuar se kishte mbetur e bllokuar dhe duke kërkuar ndihmë urgjente. Pas ndërhyrjes së ekipeve të shpëtimit, Demet Özdemir u nxor nga zona e përmbytur me gomone dhe u dërgua në një vend të sigurt, raportoi agjencia turke e lajmeve DHA.
Në të njëjtën studio ndodhej edhe këngëtari i njohur turk Murat Boz, i cili gjithashtu kërkoi ndihmë përmes rrjeteve sociale. Sipas raportimeve të mediave turke, në kompleks dhe në zonën përreth kishte mbetur i bllokuar një numër i madh punonjësish, ndërsa ekipet e emergjencës punuan gjatë natës për evakuimin e tyre.
Demet Özdemir është e njohur për publikun shqiptar nga disa seriale të transmetuara në TV Klan, si seriali “Shtëpia ime, fati im”, ku interpreton Zejnepin, si dhe në serialin “Dashuria e Eshrefit”, ku luan Nisanin, një muzikante që dashurohet me Eshref Tekun./mxh
