Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar një bilanc të asistencës ligjore që opozita pretendon se u ka ofruar studentëve dhe qytetarëve të shoqëruar nga policia gjatë protestave të ditëve të fundit.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Bardhi ka bërë të ditur se, që prej 13 tetorit, ekipi ligjor i Partisë Demokratike ka ofruar ndihmë juridike për 432 protestues, një pjesë e të cilëve janë liruar në komisariate, ndërsa të tjerët janë përballur me procedura gjyqësore.
Sipas të dhënave të publikuara prej tij, 184 persona janë liruar menjëherë në komisariat. Ndërkohë, nga 248 protestuesit e përfaqësuar përpara gjykatës, 239 kanë përfituar vendime lirimi. Për nëntë rastet e mbetura, ku janë vendosur masa sigurimi personal, përfshirë arrestin në burg për 21 ditë dhe arrestin në shtëpi, Bardhi njofton se po ndiqen procedurat e ankimit.
Reagimi i Gazment Bardhit:
Me studentët, për Shqipërinë!
Edi Rama mban përgjegjësi politike për klimën e dhunës, presionit dhe shantazhit ndaj studentëve, të rinjve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të protestuar. Në këto momente, kemi bërë gjithçka për të qenë në krah të tyre, duke përmbushur detyrimin tonë për të mbrojtur të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe për të parandaluar mbajtjen e padrejtë në arrest të të rinjve protestues.
Që prej datës 13 tetor, ekipi ynë ligjor ka ofruar asistencë juridike për 432 protestues të shoqëruar nga Policia e Shtetit. Prej tyre, 184 protestues janë liruar menjëherë në komisariat.
Për 248 protestuesit e tjerë, të cilët janë përfaqësuar nga ekipi ynë ligjor përpara gjykatës, 239 janë liruar me vendim gjykate. Për 9 rastet e tjera, ku janë caktuar masa sigurimi personal, përfshirë arrestin në burg për 21 ditë dhe arrestin në shtëpi, po ndiqen procedurat ligjore të ankimit, me qëllim mbrojtjen e të drejtave të çdo protestuesi.
Paralelisht, për rastet e dhunës po ndërmerren hapa konkretë ligjorë. Deri më tani, janë depozituar dy kallëzime penale në Prokurori, ndërsa po mblidhen provat për depozitimin e katër kallëzimeve të tjera. Çdo rast do të ndiqet me seriozitet, që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Partia Demokratike do të vijojë të jetë në krah të studentëve, të rinjve dhe çdo qytetari që kërkon liri, drejtësi dhe dinjitet. Ne do të mbrojmë me vendosmëri të drejtën kushtetuese për të protestuar, do të kërkojmë respektimin e ligjit dhe të lirive themelore dhe do të mbështesim kërkesat e studentëve.
Frikësimi nuk do ta ndalë protestën. Presioni nuk do ta shuajë zërin e të rinjve. Shqipëria ka nevojë për liri, drejtësi dhe demokraci!/ET
