Bashkimi Evropian duhet të rifillojë negociatat me Kinën për një marrëveshje të gjerë tregtare, që të përfshijë edhe investimet, në vend që bisedimet të kufizohen në sektorë të veçantë të ekonomisë, sipas Euronews.
Propozimi u bë nga Bernd Lange, eurodeputet gjerman dhe kryetar i Komisionit të Tregtisë Ndërkombëtare në Parlamentin Evropian, në një kohë kur Brukseli dhe Pekini po përpiqen të ulin tensionet tregtare.
Lange e bëri thirrjen përpara vizitës në Pekin të një delegacioni prej 12 eurodeputetësh, nga 27 deri më 29 tetor.
Më 9 tetor, të dyja palët arritën një marrëveshje për automjetet hibride, por BE-ja e konsideron atë të pamjaftueshme për të adresuar çekuilibrat tregtarë.
Deficiti tregtar i bllokut me Kinën arrin rreth 1 miliard euro në ditë.
Në qendër të diskutimeve mund të rikthehet edhe Marrëveshja Gjithëpërfshirëse për Investimet (CAI), negociatat për të cilën u pezulluan në praktikë pasi Parlamenti Evropian ngriti bllokadë ndaj ratifikimit në vitin 2021.
Vendimi erdhi pasi Kina vendosi sanksione ndaj BE-së, pas masave evropiane lidhur me shkeljet e të drejtave të njeriut.
Lange argumentoi se nevojitet një marrëveshje më gjithëpërfshirëse dhe se negociatat nuk duhet të zgjasin pafundësisht.
Marrëveshja për automjetet hibride parashikon kuota specifike për importet kineze, duke lejuar hyrjen në tregun evropian të 350 mijë automjeteve në vit, me një normë vjetore rregullimi prej 6%.
Komisioni Evropian e ka cilësuar marrëveshjen si fazën e parë të procesit, i cili do të vijojë në nivel teknik përpara bisedimeve të ardhshme politike, të planifikuara për marsin e vitit 2027.
Megjithatë, eurodeputeti francez Pascal Canfin theksoi se negociatat duhet të trajtojnë edhe praktikat tregtare që prekin njëkohësisht disa industri evropiane.
Çështjet që BE-ja kërkon të trajtojë përfshijnë subvencionet kineze në sektorët kimikë dhe të makinerive, kufizimet e eksporteve të tokave të rralla, të rëndësishme për industrinë evropiane, si dhe një shtesë prej 20% në çmimet e ofertave evropiane për prokurimet publike në Kinë.
Gjatë vizitës, eurodeputetët do të takohen me përfaqësues të Ministrisë kineze të Tregtisë, anëtarë të Asamblesë Kombëtare Popullore dhe përfaqësues të kompanive të teknologjisë së lartë në Hangzhou.
Ndërkohë, udhëheqësit e BE-së i kanë dhënë Komisionit Evropian një mandat politik për të shqyrtuar vendosjen e kuotave të njëanshme për mbrojtjen e sektorëve kimikë dhe të makinerive nga konkurrenca kineze./MXH
