Last Updated on 22/10/2026 by Klara
Deputetët e Parlamentit Evropian hodhën poshtë të enjten propozimin e Komisionit Evropian për të shtyrë me një vit zbatimin e rregullave të BE-së për metanin, duke mbështetur në vend të tij një shtyrje trevjeçare, deri në vitin 2031.
Ky vendim nxjerr në pah ndarjet në rritje lidhur me shkallën në të cilën Bashkimi Evropian duhet të zbusë rregullat mjedisore, ndërsa qeveritë përballen me çmime të larta të energjisë, ndërprerje të furnizimit dhe shqetësime për konkurrueshmërinë e industrisë.
Rregullorja e BE-së për metanin u kërkon kompanive që importojnë lëndë djegëse fosile të dëshmojnë se furnizuesit e tyre jashtë bllokut përmbushin standarde të barasvlershme për monitorimin, raportimin dhe verifikimin e emetimeve të metanit.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, e përshkroi votimin si një hap drejt “forcimit të sigurisë energjetike të Evropës”, në kushtet e pasigurisë në tregjet globale të energjisë.
“Parlamenti votoi me shpejtësi në favor të shtyrjes së disa detyrimeve sipas Rregullores së BE-së për Metanin, duke u dhënë kompanive të energjisë më shumë kohë për t’u përgatitur për rregullat e reja. Një afat kohor më realist, zbatim efektiv dhe vijim i përparimit në uljen e emetimeve”, shkroi Metsola në rrjetin social X.
Komisioni Evropian propozoi një shtyrje njëvjeçare pas presionit nga industria e naftës dhe gazit, si dhe nga disa vende të BE-së, të cilave së fundmi iu bashkua edhe Franca. Këto vende kanë shprehur shqetësime lidhur me sigurinë energjetike dhe çmimet e larta, në kushtet e vazhdimit të ndërprerjeve në rrugët kryesore të transportit detar në Lindjen e Mesme.
Megjithatë, Partia Popullore Evropiane (EPP), e qendrës së djathtë, kërkoi që Parlamenti të votonte për shtyrjen e rregullave të metanit, pas dështimit të negociatave politike të mërkurën, sipas tre burimeve parlamentare.
Virgil Popescu, eurodeputet i EPP-së dhe ish-ministër rumun i Energjisë, deklaroi më 20 tetor se do të kërkonte shtyrjen me tre vjet të disa prej detyrimeve, duke iu referuar vështirësive me të cilat përballen prodhuesit vendas të naftës dhe gazit, përfshirë ata që operojnë puse të vjetra.
Qendra e djathtë siguron një shtyrje më të gjatë
Socialdemokratët dhe liberalët mbështetën shtyrjen njëvjeçare të propozuar nga Komisioni Evropian, ndërsa të Gjelbrit dhe e Majta i kërkuan ekzekutivit të BE-së të tërhiqte propozimin dhe të ruante afatin e vitit 2029.
Jutta Paulus, eurodeputete e grupit të të Gjelbërve/EFA dhe negociatore kryesore për rregulloren e metanit, akuzoi Komisionin Evropian se po i nënshtrohej presionit të industrisë së naftës dhe gazit.
“Thirrja e konservatorëve dhe e së djathtës ekstreme për shtyrjen me tre vjet të rregullores së metanit është një skandal i vërtetë. Edhe një herë, konservatorët dhe e djathta ekstreme po ndjekin politika që minojnë veprimet për klimën dhe u shërbejnë interesave të industrisë së lëndëve djegëse fosile”, reagoi Paulus të enjten.
Sipas propozimit të mbështetur nga EPP-ja, Komisioni Evropian do të vlerësojë gjithashtu, në mesin e vitit 2029, nëse nevojiten ndryshime të mëtejshme, në rast se kompanitë e energjisë vazhdojnë të përballen me vështirësi në përmbushjen e detyrimeve ose nëse shqetësimet për sigurinë e furnizimit mbeten të pranishme.
“Parlamenti Evropian ka mbështetur propozimin tonë për një shtyrje të synuar trevjeçare, duke ofruar siguri më të madhe juridike, duke lejuar që sistemet e verifikimit të bëhen plotësisht funksionale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për prodhuesit dhe importuesit e BE-së”, deklaroi Dimitris Tsiodras, eurodeputet grek i EPP-së.
Christian Ehler, zëdhënës i grupit EPP për industrinë dhe energjinë, e kishte cilësuar propozimin e Komisionit për shtyrje njëvjeçare si “shumë larg asaj që nevojitet”. Ai tha se EPP-ja dhe të paktën 15 vende të BE-së kanë kërkuar një shtyrje trevjeçare.
“Kjo nuk ka të bëjë me rritjen apo lejimin e emetimeve të mëtejshme të metanit, por me sigurinë e furnizimit dhe çmime më të ulëta të energjisë”, tha Ehler.
Legjislacioni po shqyrtohet përmes një procedure urgjente, me synimin që ndryshimet të hyjnë në fuqi përpara fundit të vitit.
Megjithatë, në korrik, Komisioni Evropian propozoi pezullimin për tre vjet të penaliteteve të lidhura me rregullat e metanit të BE-së, me qëllim zbutjen e shqetësimeve të industrisë dhe presionit nga Shtetet e Bashkuara, furnizuesi më i madh i Bashkimit Evropian me gaz natyror të lëngshëm (LNG).
Një shtyrje më e gjatë mund të ketë kosto politike për ambiciet klimatike të Bashkimit Evropian. Zgjatja e afateve do t’u jepte furnizuesve më shumë kohë, por mund të dobësonte gjithashtu nxitjen për të investuar në monitorimin e emetimeve dhe në reduktimin e rrjedhjeve të metanit.
Organizatat mjedisore argumentojnë se shtyrja e zbatimit të rregullave për metanin nuk do t’i zgjidhë problemet e furnizimit apo të çmimeve.
“Janë goditjet në furnizimin global dhe varësia e Evropës nga lëndët djegëse fosile ato që po shkaktojnë presionet aktuale në treg”, deklaroi në një reagim platforma e pavarur European Civil Society Observatory on Methane.
Sipas vlerësimeve të kësaj organizate, zbatimi i plotë i rregullores brenda afateve të përcaktuara mund të sjellë rreth 704 miliardë euro përfitime klimatike, shëndetësore dhe ekonomike, kundrejt kostove rregullatore prej 49 miliardë eurosh. Organizata argumenton gjithashtu se masat mund të parandalojnë rreth 155 mijë vdekje të parakohshme në mbarë botën deri në vitin 2030.
Flora Witkowski, koordinatore për politikat e gazit në Climate Action Network (CAN), tha se BE-ja mban përgjegjësi për dëmet e shkaktuara nga nxjerrja dhe importimi i gazit fosil ndotës. “Votimi i sotëm i Parlamentit Evropian për shtyrjen e rregullores së BE-së për metanin u shërben vetëm interesave të industrisë së lëndëve djegëse fosile, jo njerëzve. Ai vetëm sa do të lehtësojë vazhdimin e varësisë së Evropës nga lëndët djegëse fosile dhe do të zgjasë krizën e çmimeve të energjisë, ndërsa do të shkaktojë edhe 185 miliardë euro dëme shtesë dhe do të pengojë përpjekjet për të frenuar krizën klimatike.”, tha ajo./k.m
