Një sekret nga e kaluara ka rikthyer në vëmendje marrëdhënien e ndërlikuar mes motrave Kardashian. Kourtney Kardashian ka treguar se dikur kishte ndërprerë komunikimin me Kim-in për plot katër javë, pas një konflikti që lidhej me martesën e parë të fshehtë të kësaj të fundit.
Rrëfimi u bë në episodin më të fundit të reality show-t “The Kardashians”, ku Kourtney zbuloi se situata ishte përshkallëzuar pasi ajo kishte vendosur të informonte nënën e tyre, Kris Jenner, për martesën që Kim kishte mbajtur të fshehtë.
Në atë kohë, Kourtney ishte në dijeni të lidhjes martesore të motrës së saj përmes miqve. Kur kuptoi se edhe Kris kishte dëgjuar urime për martesën e Kim-it, vendosi t’i tregonte të vërtetën. Ky veprim, megjithatë, nuk u prit aspak mirë nga Kim, e cila e akuzoi motrën se po i shkatërronte jetën.
Martesa sekrete që shkaktoi përçarje në familje
Kim Kardashian u martua në Las Vegas në vitin 2000 me producentin muzikor Damon Thomas, i cili në atë kohë ishte 29 vjeç, ndërsa ajo vetëm 19.
Sipas rrëfimit të Kourtney-t, zbulimi i martesës shkaktoi një përplasje të fortë mes tyre. Reagimi i Kim-it ishte aq i ashpër, sa motrat nuk komunikuan për katër javë.
“Po ma shkatërron jetën”, ishte akuza që Kim i drejtoi Kourtney-t, sipas asaj që kjo e fundit tregoi në emision.
Martesa e Kim-it me Damon Thomas përfundoi me divorc në vitin 2004. Më pas, ajo u martua me basketbollistin Kris Humphries në vitin 2011, por kjo martesë zgjati vetëm 72 ditë.
Në vitin 2014, Kim kurorëzoi dashurinë me reperin Kanye West, me të cilin ka katër fëmijë. Çifti u nda dhe në vitin 2021 ajo paraqiti kërkesën për divorc. Aktualisht, Kim është përfolur për lidhjen e saj me pilotin e Formula 1, Lewis Hamilton.
Përplasjet mes motrave kanë qenë shpesh publike
Konflikti i zbuluar së fundmi nuk është hera e parë që marrëdhënia mes Kim-it dhe Kourtney-t ka qenë në qendër të vëmendjes.
Në vitin 2018, Kim e cilësoi Kourtney-n si motrën “më pak interesante për t’u parë”, pas një debati për angazhimet e punës dhe oraret e tyre.
Përplasjet u bënë edhe më të forta në vitin 2020, kur një debat mes tyre përfundoi në një konflikt fizik përpara kamerave. Në atë rast, Kim e kishte kritikuar Kourtney-n, duke pretenduar se ajo nuk angazhohej aq shumë sa pjesa tjetër e familjes.
Marrëdhënia e tyre ka kaluar nëpër ulje-ngritje të shumta, ndërsa momentet e tensionuara janë bërë pjesë e historisë së familjes së njohur televizive.
Khloe Kardashian flet për zhgënjimin me familjen e Lamar Odom
Në të njëjtin episod, Khloe Kardashian ndau gjithashtu disa mendime për marrëdhënien e saj të kaluar me ish-bashkëshortin Lamar Odom dhe reagimet që pasuan publikimin e dokumentarit të tij në Netflix, “Untold: The Death & Life of Lamar Odom”.
Khloe u shpreh e zhgënjyer nga komentet e LJ-së, djalit të Lamar-it, të cilat, sipas saj, krijonin përshtypjen se vizitat gjatë festave të fundvitit lidheshin me mundësinë që ajo dhe Kris Jenner të shpenzonin para për të.
Ajo shpjegoi se fillimisht kishte dashur të ishte pranë njerëzve të rëndësishëm për ish-bashkëshortin e saj, por me kalimin e kohës kishte krijuar përshtypjen se disa prej tyre e afroheshin për shkak të përfitimeve materiale.
Ndërkohë, Kourtney nuk u shfaq me pjesën tjetër të familjes në këtë episod. Ajo zgjodhi të kalonte kohë me bashkëshortin e saj, Travis Barker, dhe fëmijët e tij, Alabama dhe Landon./mxh
