Të tjera detaje janë zbardhur në lidhje me krimin e rëndë të ndodhur në Pejë, ku Arlinda Sylaj Zekaj u vra me sëpatë nga kunati i saj Albert Sylaj, në Vitomiricë.
Siaps mediave në Kosovë, vetëm tre ditë përpara vrasjes, kishte kërkuar urgjentisht ndërhyrjen e Prokurorisë Themelore në Pejë.
Procesverbali i Policisë së Kosovës, nr. 2026-DA-SHZ-1453, të datës 22 tetor 2026, zbulon se Arlinda kishte kërkuar ndërhyrjen e Policisë, pasi në pronën e përbashkët me ish-bashkëshortin Jeton Sylaj po qëndronin familjarë të tij, për të cilët ajo pretendonte se nuk kishin autorizim. Ajo ngrite pretendime për kërcënime të vazhdueshme ndaj saj, e po ashtu shqetësimin se vendimi gjyqësor lidhur me përkujdesjen ndaj fëmijës nuk ishte zbatuar.
Për largimin e familjarëve, u udhëzua të ndiqte rrugën civile. Sipas procesverbalit, pas marrjes në pyetje të palëve dhe konsultimit me Prokurorinë e Shtetit, Arlinda ishte udhëzuar që për personat që qëndronin brenda shtëpisë t’i drejtohej gjykatës në kontest civil.
Kjo ndodhte në një kohë kur viktima kishte tashmë një urdhër mbrojtës të lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë më 16 tetor 2026. Me atë aktvendim, gjykata kishte urdhëruar shprehimisht që ish-bashkëshorti ta lejonte Arlindën të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët në Vitomiricë.

Pra, viktima nuk po kërkonte vetëm një zgjidhje të zakonshme të kontestit pronësor. Ajo po kërkonte të jetonte në një shtëpi në të cilën kthimi dhe qëndrimi i saj ishin paraparë shprehimisht në një vendim mbrojtës.
Megjithatë, mbetet për t’u sqaruar nëse urdhri gjyqësor autorizonte edhe largimin e personave të tretë dhe çfarë masash mund të ndërmerreshin për ta garantuar sigurinë e Arlindës gjatë ekzekutimit të tij.
Një tjetër pjesë e procesverbalit ngre pyetje për trajtimin e pretendimeve të kanosjes.
Në dokument shënohet se, pas konsultimit me Prokurorinë, nuk ishte konsideruar e konsumuar vepra penale e kanosjes, ndërsa nga palët pritej sigurimi i video-incizimeve të kamerave të sigurisë.
Procesverbali nuk sqaron nëse Policia i kishte kërkuar vetë pamjet, nëse ato ishin ruajtur apo nëse më vonë ishte ndryshuar vlerësimi fillestar lidhur me kanosjen.
Nga ana tjetër, Prokuroria kishte vlerësuar se qëndrimi i saj në shtëpi nuk ishte i sigurt.

Një nga pjesët më domethënëse të dokumentit lidhet me atë që ndodhi në mbrëmjen e 22 tetorit. Rreth orës 21:27, Policia e kishte shoqëruar Arlindën drejt shtëpisë së saj në Vitomiricë, por dera e oborrit ishte e mbyllur. Ish-bashkëshorti, Jeton Sylaj, kishte refuzuar ta hapte, duke u arsyetuar se aktvendimi gjyqësor nuk e detyronte shprehimisht ta bënte këtë. Pas këtij kundërshtimi, Arlinda ishte kthyer përsëri në Stacionin Policor në Pejë.
Ajo ishte shoqëruar edhe nga ish-bashkëshorti dhe nëna e tij, ndërsa për situatën ishin zhvilluar konsultime të tjera institucionale.
Pikërisht këtu procesverbali dokumenton se, për shkak të rrethanave të krijuara dhe pranisë së familjarëve të ish-bashkëshortit, Prokuroria kishte vlerësuar se siguria e viktimës ishte parësore dhe se nuk ishte e sigurt që ajo të qëndronte në atë shtëpi.
Si zgjidhje për atë natë, ishte propozuar që Arlinda të qëndronte te vëllezërit e saj.
Këta të fundit kishin shkuar në stacion dhe ishin shprehur të gatshëm ta merrnin motrën në shtëpinë e tyre. Në fund, me mirëkuptimin e saj dhe të familjarëve, Arlinda ishte larguar drejt fshatit Radac të Pejës.
Gjashtë ditë pas urdhrit mbrojtës, ajo ende përballej me pengesa për t’u kthyer në shtëpi.
Aktvendimi i Gjykatës Themelore në Pejë i 16 tetorit kishte përcaktuar disa detyrime konkrete ndaj ish-bashkëshortit. Atij i ishte ndaluar afrimi në distancat e përcaktuara me vendim, ushtrimi i dhunës fizike e psikologjike, kërcënimi dhe pengimi i lëvizjes së Arlindës.
Gjykata kishte urdhëruar kthimin e saj në shtëpinë e përbashkët dhe ia kishte besuar përkohësisht fëmijën në përkujdesje. Vendimi parashihte se hynte në fuqi menjëherë, se ankesa nuk e ndalonte ekzekutimin dhe se ekzekutimi i takonte Policisë së Kosovës.
Megjithatë, më 22 tetor, gjashtë ditë pas nxjerrjes së tij, procesverbali dokumenton se kthimi i Arlindës në shtëpi kishte hasur në kundërshtim.
Më 25 tetor, Arlinda ishte kthyer sërish në Stacionin Policor në Pejë, ku ishte intervistuar lidhur me një rast të dhunës në familje. Rreth orës 20:58, patrulla policore e kishte dërguar në shtëpi. Afërsisht dhjetë minuta më vonë, Policia kishte marrë informacionin për vrasjen.
Arlinda Sylaj Zekaj u gjet pa shenja jete në dhomën e gjumit, ndërsa sipas dyshimeve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, e kishte goditur me sëpatë në kokë.
Për vrasjen po zhvillohen hetime, ndërsa bashkëshorti i viktimës, Jeton Sylaj, është ndaluar për 48 orë pas marrjes në pyetje. /ad
