Last Updated on 26/10/2026 by Monika
Prokuroria Themelore në Pejë kishte ngritur më 23 tetor 2026 aktakuzë për kanosje ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, vetëm dy ditë para se ajo të vritej në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili vijon të jetë në arrati.
Rasti ka marrë përmasa edhe më shqetësuese pas publikimit të deklarimeve të viktimës në Polici, ku ajo kishte rrëfyer për kërcënimet e pretenduara nga ish-bashkëshorti dhe kishte shprehur frikën për jetën e saj.
Sipas deklarimeve të dhëna para hetuesve policorë në korrik të vitit 2026, Arlinda Zekaj kishte treguar se Jeton Sylaj posedonte armë zjarri me leje dhe se, gjatë kohës kur kishin jetuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ajo e kishte denoncuar për dhunë fizike dhe psikike.
“Kam me të mbytë, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime”
Në deklarimin e saj në polici, më 10 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte përshkruar kërcënimet që, sipas saj, i kishte marrë vazhdimisht nga ish-bashkëshorti.
“Kam me të mbytë, kam me të ngreh zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime, kur**, kud**, rrugaçe, ki me flejt në sokak, s’ki me pa më djalin nëse jam gjallë unë”, citohet të ketë deklaruar ajo.
Sipas aktakuzës, çifti kishte jetuar për rreth 11 vjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitin 2024, Arlinda ishte kthyer në Kosovë së bashku me djalin e saj, ku kishte ndërtuar një shtëpi. Ndërkohë, ish-bashkëshorti kishte udhëtuar shpesh mes Kosovës dhe Amerikës.
“Me Jetonin kemi jetuar rreth 11 vite në shtetin e Amerikës, dua të deklarohem se deri sa kam jetuar në Amerikë, Jetoni ka ushtruar dhunë psikike dhe fizike ndaj meje, me çka e kam raportuar në Amerikë dhunë familjare”, kishte deklaruar ajo para policisë.
Konflikti për shtëpinë dhe kredinë prej 9 mijë eurosh
Në deklarimet e saj, Arlinda Zekaj kishte folur edhe për konfliktet lidhur me shtëpinë ku jetonte me djalin, si dhe për një kredi prej 9 mijë eurosh që, sipas saj, ishte detyruar ta merrte.
Ajo kishte pretenduar se ish-bashkëshorti ushtronte dhunë psikike ndaj saj dhe se në dhjetor të vitit 2025 e kishte telefonuar duke i kërkuar të largohej nga shtëpia.
“Jetoni më ka detyruar që unë të hyj në kredi dhe unë kam marrë kredi 9 mijë euro dhe që dy vite që jemi duke jetuar Jetoni ushtronte dhunë psikike. Tutje deklaroj se në muajin dhjetor 2025, Jetoni më ka telefonuar dhe më ka thënë dil nga shtëpia se ti s’ki çka lypë aty. Ndërsa unë i kam thënë se ne e kemi ndërtuar shtëpinë së bashku ndërsa Jetoni më ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të mbytë, kam me të ngre zhag, as ushtria s’ka me mujtë me të hjekë nga dora ime’”, kishte deklaruar Arlinda Zekaj.
Gjykata i kishte dhënë urdhër mbrojtjeje për gjashtë muaj
Sipas sqarimeve të Gjykatës Themelore në Pejë, më 7 shtator 2026, Arlinda Zekaj kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje emergjent ndaj ish-bashkëshortit, përmes Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave.
Kërkesa ishte aprovuar pjesërisht atë ditë, ndërsa pas kundërshtimeve të palëve dhe pranimit të raportit të Qendrës për Punë Sociale, çështja ishte shqyrtuar më tej.
Më 16 tetor, Gjykata kishte vendosur që urdhri emergjent të shndërrohej në urdhër të rregullt mbrojtjeje, duke aprovuar kërkesën e saj dhe masat mbrojtëse për një periudhë prej gjashtë muajsh.
Gjithashtu, sipas Prokurorisë, vendimi gjyqësor e obligonte ish-bashkëshortin që ta lejonte Arlindën të kthehej dhe ta shfrytëzonte shtëpinë e përbashkët.
Më 22 tetor i shkroi kryeprokurores: Kërkoi veprime urgjente
Një tjetër detaj i rëndësishëm lidhet me datën 22 tetor, tri ditë para vrasjes. Sipas njoftimit të Prokurorisë, kryeprokurorja kishte pranuar një parashtresë nga Arlinda Zekaj, përmes së cilës ajo kishte paraqitur pretendimet e saj lidhur me trajtimin e rasteve të mëparshme dhe kishte kërkuar zbatimin e vendimit gjyqësor.
Pas pranimit të kërkesës, çështja ishte adresuar te institucionet kompetente, përfshirë Policinë e Kosovës, Gjykatën Themelore në Pejë dhe Qendrën për Punë Sociale, me kërkesën që situata të vlerësohej urgjentisht dhe të verifikoheshin pretendimet për lëshime të mundshme institucionale.
Prokuroria ka bërë të ditur gjithashtu se ishte iniciuar një rast për të hetuar nëse në veprimet ose mosveprimet e zyrtarëve të përmendur në parashtresë kishte elemente të veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar. Ky hetim lidhet me pretendimet për veprimet institucionale dhe nuk përbën konstatim se është kryer vepër penale./mxh
