Nga Jeremy Adelman, Project Syndicate
Në përpjekjen për t’i shkëputur Shtetet e Bashkuara nga pjesa tjetër e botës dhe për t’u tërhequr në një bastion hemisferik në dukje të kontrollueshëm, strategjia e Donald Trumpit për Amerikën Latine pati më shumë sukses se pjesa tjetër e politikës së tij të jashtme. Por pas humbjes së të djathtës ekstreme në Brazil, projekti i tij tani duket pa shpresë për të ecur përpara.
Fitorja e Luiz Inácio Lula da Silvës në zgjedhjet presidenciale të Brazilit është një goditje për planin e Donald Trumpit për Hemisferën Perëndimore. Presidenti amerikan shpresonte të rrethohej nga shtete klienteliste në jug, që imitojnë qëndrimet e tij në biznes dhe pozën e «dorës së hekurt», ndërsa ai vetë vazhdon të tradhtojë partnerët liberalë. Ky plan, që dukej i arritshëm deri në votimin e së dielës, tashmë është bërë copë e çikë.
Shkëputja nga bota dhe tërheqja në një bastion hemisferik, në dukje të kontrollueshëm, ka qenë një ëndërr amerikane që nga fillimi i shekullit XIX. Ajo u mishërua në Doktrinën Monroe, të shpallur nga presidenti James Monroe në vitin 1823 për t’i paralajmëruar europianët të mos ndërhynin në kontinentin amerikan, dhe u ringjall në vitet 1890, gjatë luftës së SHBA-së kundër Spanjës. Më pas, projekti ndëramerikan kaloi në plan të dytë, derisa Trumpi u përpoq ta ringjallte sërish.
Sikur Brazili të ishte zhvendosur vrullshëm nga e majta në të djathtë, zgjedhjet do të kishin kurorëzuar një vit të mrekullueshëm për Trumpin në rajon, në kontrast me dështimet e tij gjetkë. Rrëmbimi i presidentit venezuelian Nicolás Maduro në fillim të vitit i dha Trumpit një shtet klientelist tërësisht të nënshtruar, pas zgjedhjeve në Kili që sollën në pushtet kandidatin e së djathtës ekstreme, José Antonio Kast, babai i të cilit ishte një toger nazist në Wehrmacht. Më pas, në Kolumbi, e majta u mund nga kandidati i djathtë i mbështetur prej Trumpit, Abelardo de la Espriella.
Pas këtyre fitoreve, aleatë të hershëm të Trumpit, si Nayib Bukele i Salvadorit dhe Javier Milei i Argjentinës, nuk janë më figura të çuditshme e të izoluara. Një fitore e kandidatit të së djathtës ekstreme, Flávio Bolsonaro, në Brazil do të kishte nënkuptuar një triumf thuajse të plotë të aleatëve të Trumpit në jug të Meksikës.
Në nëntor 2025, Strategjia e Sigurisë Kombëtare e administratës Trump bëri thirrje për një zhvendosje të vëmendjes drejt Hemisferës Perëndimore. Më pas, në kuadër të operacionit «Vendosmëria Absolute», forcat amerikane kapën Maduron dhe i dhanë dritën jeshile pasuesit të tij në Karakas që t’i jepte një kompanie amerikane koncesione të reja 100-vjeçare për 17 fusha naftëmbajtëse, me rezerva të provuara prej 65 miliardë fuçish.
Në mars, Shtëpia e Bardhë i intensifikoi përpjekjet për afrimin e vendeve të hemisferës, përmes Koalicionit të Amerikave Kundër Karteleve. Me emërtimin eufemistik «Mburoja e Amerikave», administrata synonte një aleancë hemisferike për të luftuar trafikun e drogës dhe krimin e organizuar. Pas një aktiviteti të inskenuar në selinë e Komandës Jugore të SHBA-së në Doral të Floridës, 12 udhëheqës latinoamerikanë e ndoqën Trumpin në klubin e tij të golfit për të festuar. Zyrtarët amerikanë e përshëndetën bashkërendimin për të luftuar kartelet, kryengritësit dhe «ndërhyrjen e huaj në hemisferë», veçanërisht atë kineze. Në fjalën përmbyllëse, Trumpi e lidhi sigurinë e hemisferës me sulmet e tij kundër Iranit.
Mburoja ishte më shumë sesa një pakt sigurie. Negociatorët në Doral dolën nga takimet me dyer të mbyllura duke tundur marrëveshje për arin dhe naftën venezueliane, si dhe kontrata për mineralet e Kilit, të gjitha në favor të kompanive amerikane. Qëllimi tregtar u bë zyrtar në fund të shtatorit, kur nënshkruesit e Mburojës i shtuan misionit «bashkëpunimin ekonomik», përfshirë «verifikimin e investimeve», sigurinë e «zinxhirit të furnizimit me minerale» dhe «rregullat për furnizues të besuar të infrastrukturës digjitale».
Por edhe përpara fitores së Lulës, që i mbajti të gjithë në ankth deri në fund, koalicioni hemisferik i Trumpit e kishte mbivlerësuar forcën e rreshtimit rajonal. Drejtuesja fillestare e Mburojës së Amerikave, Kristi Noem, u shkarkua në mënyrë poshtëruese nga posti i sekretares amerikane të Sigurisë Kombëtare, dy ditë përpara prezantimit të Mburojës. Mandati i saj në postin më të ulët të «të dërguarës së posaçme» përfundoi në shtator dhe Departamenti i Shtetit nuk e ka marrë mundimin të caktojë një pasues.
Ndërkohë, ambasadorët amerikanë në Buenos Aires dhe Santiago kanë shkaktuar përplasje diplomatike në rajon. Brandon Judd, një agjent karriere i Patrullës Kufitare amerikane, që tani është i dërguari i Trumpit në Kili, vuri publikisht në pikëpyetje sovranitetin e vendit pritës mbi Ngushticën e Magelanit dhe e kushtëzoi mbështetjen e Mburojës me gatishmërinë e Kilit për të bashkëpunuar me SHBA-në. Pastaj është edhe lufta e brendshme e ndyrë dhe haptazi e korruptuar në Shtëpinë e Bardhë për plaçkën venezueliane.
Por dobësia më e madhe e Mburojës është ekonomike. Pavarësisht gjithë miqësisë mes politikanëve të djathtë, veriu dhe jugu i hemisferës janë larguar ekonomikisht nga njëri-tjetri. Retorika për sigurinë ndër-amerikane fsheh një realitet më të gjerë: që nga viti 2000, Kina, dhe jo SHBA-ja, është bërë tregu i parapëlqyer për eksportet e Amerikës Latine. Kina tani blen rreth 28% të eksporteve latinoamerikane, duke tejkaluar ndjeshëm pjesën prej 16% të SHBA-së, e cila është tkurrur në mënyrë të konsiderueshme.
Shtysa kryesore e këtij boshti të ri tregtar kanë qenë metalet, mineralet dhe produktet energjetike të Amerikës Latine. Trekëndëshi i litiumit, që shtrihet në Argjentinë, Bolivi dhe Kili, dërgon 77% të prodhimit të tij në Kinë. Kompani si Tsingshan, prodhuesi më i madh në botë i çelikut inox dhe nikelit, kanë seli rajonale në veri të Argjentinës, pasi kanë bërë investime masive në produkte elektrokimike, plastikë industriale për ndërtimin e impianteve gjigante të magazinimit të lëndëve kimike, si dhe në objekte të tjera që mbështesin ekonominë e epokës pas lëndëve djegëse fosile.
Amerika e Jugut është gjithashtu thelbësore për ambiciet hapësinore të Kinës. Për të mundësuar stacione të energjisë diellore në orbitë gjeostacionare rreth Tokës, Kina po investon në qindra teleskopë, për të krijuar një park gjigant vëzhgimi në të njëjtat toka të thata që mbajnë minerale të çmuara. Ndërsa Trumpi përkëdhel vizione luftanijesh të «klasit Trump» që lundrojnë nëpër Ngushticën e Magelanit, Korporata Kineze e Shkencës dhe Teknologjisë Hapësinore dhe struktura të Ushtrisë Çlirimtare Popullore po ndërtojnë objekte në Patagoni për të menaxhuar një flotë të gjerë satelitësh dhe stacionesh energjetike në hapësirën e largët.
Mburoja e Amerikave nuk trajtoi kurrë atë për të cilën rajoni ka vërtet nevojë. Detyra më e rëndësishme e udhëheqësve të tij të së djathtës ekstreme është t’i nxjerrin vendet e tyre nga amullia e produktivitetit. Në çerekun e parë të shekullit XXI, produktiviteti i punës u rrit me më pak se 0,9% në vit, duke mbetur gjithnjë e më shumë prapa mesatares së OECD-së. Rezultati është një kurth i karakterizuar nga inovacioni i ulët, zgjerimi i sektorëve informalë dhe plakja e popullsisë — pikërisht sfidat afatgjata që populistët priren t’i shpërfillin.
Së fundi, nivelet e borxhit në Amerikën Latine janë rritur vrullshëm. Varësia e skajshme nga të ardhurat prej lëndëve të para ka përkuar me një huamarrje të bollshme. Rreth 3,5% e PBB-së së rajonit shpenzohet për shlyerjen e detyrimeve të borxhit publik, një shumë marramendëse që u hiqet investimeve në të mira publike apo shërbime sociale. Me rritjen e normave të interesit, do të rriten edhe pagesat për borxhin, duke i detyruar autoritetet financiare të vendosin masa shtrënguese.
Mburoja nuk përmbante asgjë që t’i ndihmonte partnerët latinoamerikanë të dilnin nga kjo darë. Lula padyshim ka përpara një punë të vështirë, sepse përballet me të njëjtën sfidë themelore. Por, me planin e madh të Trumpit për Amerikat të katandisur në rrënoja, kjo punë mund të jetë disi më e lehtë./ad
