Last Updated on 28/10/2026 by Anisa
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar përmes një deklarate për shtyp, duke kundërshtuar transferimin e tij nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) Durrës drejt burgut të Fierit. Veliaj pretendon se transferimi po kryhet pa iu vënë në dispozicion akti përkatës dhe pa iu bërë të ditura arsyet ligjore që e justifikojnë atë.
Sipas deklaratës së tij, gjatë ditës së sotme, një grup punonjësish të Policisë së Burgjeve, të dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, janë paraqitur në IEVP Durrës për të realizuar transferimin.
Veliaj thotë se, pavarësisht kërkesave të përsëritura nga ana e tij dhe e avokatit, autoritetet nuk u kanë vënë në dispozicion dokumentin që urdhëron transferimin.
“Pavarësisht kërkesave të përsëritura, si nga unë ashtu edhe nga avokati im, për t’u njohur me aktin që urdhëron transferimin dhe arsyet që e justifikojnë atë, na është refuzuar vënia në dispozicion e këtij dokumenti”, shprehet Veliaj.
Ai e cilëson mënyrën e realizimit të transferimit si shkelje të të drejtave të tij dhe përdor termin “rrëmbim policor” për të përshkruar situatën.
“Një transferim i detyruar, pa më bërë të njohur aktin dhe arsyet ligjore mbi të cilat mbështetet, për mua përbën një rrëmbim policor dhe cenon rëndë të drejtat e mia”, thuhet në deklaratë.
Kryebashkiaku thekson gjithashtu se nuk ka dhënë pëlqimin për transferimin dhe se ka kundërshtuar mënyrën se si po kryhet, duke pretenduar mungesë transparence dhe pamundësi për të ushtruar efektivisht të drejtat e tij ligjore.
Në përfundim, Veliaj u ka bërë thirrje publike Ministrit të Drejtësisë, Avokatit të Popullit dhe Komitetit Shqiptar të Helsinkit që të ndërhyjnë urgjentisht për të verifikuar arsyet e këtij transferimi, të cilin ai e cilëson politik.
“Erion Veliaj
IEVP Durrës, 28 tetor 2026”
