Last Updated on 28/10/2026 by Monika
Ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul po përpiqet të forcojë partneritetet ndërkombëtare, për të mbështetur tregtinë e lirë, në një kohë kur presidenti amerikan Donald Trump po ndjek politika ekonomike, që favorizojnë mbrojtjen e tregut amerikan nga konkurrenca e huaj.
“Vendeve që kërkojnë bashkëpunim të drejtë në këto kohë të pasigurta, u ofrojmë rrjetin tonë të partneriteteve globale”, deklaroi sot Wadephul, përpara takimit me ministrat e vendeve të G20-s, që do të zhvillohet të premten dhe të shtunën në SHBA.
G20 përfshin ekonomitë kryesore të botës, si dhe vende të tjera me ekonomi në zhvillim.
Wadephul do të vizitojë nesër Panamanë dhe më pas do të udhëtojë drejt Atlantës, në shtetin amerikan të Xhorxhias, për takimin e G20-s.
Ai tha se po udhëtonte drejt Atlantës për të mbrojtur lirinë në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, duke theksuar se Gjermania dëshiron të forcojë lidhjet ekonomike me vende si India, Indonezia, Arabia Saudite, Turqia, Brazili dhe Meksika.
Sipas tij, qëllimi është që këto vende të bashkëpunojnë për të vendosur dhe respektuar rregulla të qëndrueshme për tregtinë ndërkombëtare, në interes të përbashkët.
Wadephul tha gjithashtu se, pavarësisht dallimeve mes vendeve të G20-s, shumica dërrmuese e tyre, e kupton se Rusia dhe Irani duhet të ndalojnë pengimin e rrugëve tregtare, pasi kjo mund të shkaktojë kriza ekonomike dhe mungesë ushqimesh.
Rëndësia e Kanalit të Panamasë
Gjatë vizitës në Panama, ministri gjerman vlerësoi mënyrën se si autoritetet panameze administrojnë Kanalin e Panamasë dhe përpjekjet për ta mbajtur atë funksional edhe në të ardhmen.
Kanali është një rrugë ujore e rëndësishme për transportin ndërkombëtar të mallrave, duke lidhur Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor.
Për shkak të kufizimeve në rrugë të tjera detare, rëndësia e tij është rritur edhe më shumë.
Sipas burimeve, gjatë 12 muajve të fundit, nëpër kanal kanë kaluar 521 milionë tonë mallra, një rekord.
Në Panama Siti, Wadephul pritet të takohet me homologun e tij panamez, Javier Martínez-Acha Vásquez, dhe presidentin e vendit, José Raúl Mulino./mxh
