Last Updated on 28/10/2026 by EL
I ftuar në emisionin “Rudina”, eksperti i ekonomisë Adrian Civici rrëzon një nga mitet më të përhapura popullore mbi paranë dhe rëndësinë e saj në jetën tonë të përditshme.
Sipas tij, paraja nuk është as e mirë e as e keqe, por thjesht një instrument neutral që lidhet drejtpërdrejt me karakterin dhe ekuilibrin tonë personal.
“Shpeshherë kemi dhe një iluzion kështu, ‘kush ka para s’është i lumtur’, ‘paraja s’të jep gjithçka’. Jo, jo. Në të vërtetë nuk të jep gjithçka, është thjesht një instrument neutral të marrëdhënieve të tua me botën, me shoqërinë, me gjithë gjërat e tjera”, tha ai.
Sipas ekonomistit të njohur, paraja në vetvete nuk është as pozitive e as negative, por shërben thjesht si një mjet neutral në marrëdhënien e njeriut me botën.
“Në vetvete do të thoja që paraja s’është as e mirë, as e keqe. As ka nevojë ta glorifikosh, as ka nevojë ta mallkosh. Është thjesht një marrëdhënie që krijohet dhe një instrument që të jep mundësi ose të frenon të bësh ato gjëra që ti mendon. Pastaj, i mendon në mënyrë më egoiste, i mendon në mënyrë më romantike, ajo varet nga karakteri i njeriut. Paraja në vetvete është neutrale”, tha ai.
Civici shpjegoi gjtihashtu se kuptimi që i japim parasë lidhet drejtpërdrejt me karakterin dhe ekuilibrin tonë personal.
“Paraja është instrument në kërkim të lirisë, sepse të jep më shumë mundësi zgjedhjeje, më shumë mundësi për të plotësuar nevojat që ke. Por, nga ana tjetër, mungesa e parasë, ose mospasja e aq parave sa duhet, nga kjo liri që duket kështu në pamje të parë, të kthehet në një lloj robërie shumë dëshpëruese. Pra, ekuilibri me paranë është, në fakt, ekuilibri me dëshirat, me karakterin tonë, me ndjenjat, me çfarë duam ne të bëjmë. Pastaj, paraja vjen në mes si një instrument, se pa atë nuk e bën dot, sidomos në kushtet e sotme, ku çdo gjë kalon, ose pothuajse çdo gjë kalon përmes parasë”, tha ai./ET
