Rezultati i zgjedhjeve në Izrael ka treguar se opozita nuk ka arritur të sigurojë mbështetjen e nevojshme për të marrë pushtetin, pavarësisht pritshmërive të larta. Chemi Peres, sipërmarrës në sektorin e teknologjisë dhe drejtues i Qendrës Peres për Paqen dhe Inovacionin, thotë se rezultatet kanë treguar një zhvendosje më të fortë të shoqërisë izraelite drejt së djathtës sesa ishte parashikuar.
Chemi Peres është djali i madh i ish-presidentit izraelit Shimon Peres, një prej figurave kryesore të procesit të paqes së Oslos dhe fitues i Çmimit Nobel për Paqen. Ai pranon se rezultatet e opozitës ishin mbivlerësuar dhe se, në këtë fazë të numërimit, kampi që synonte ndryshimin nuk duket se do të arrijë 61 vendet e nevojshme për të formuar qeverinë.
Sipas tij, sondazhet dhe analizat para zgjedhjeve kishin krijuar pritshmëri më të larta për opozitën, ndërsa pjesëmarrja e madhe në votime nuk u përkthye në rezultatin e shpresuar. Ai kujton një shprehje të të atit, i cili i krahasonte sondazhet me parfumet: mund t’i nuhasësh, por nuk duhet t’i pish.
Peres vlerëson se izraelitët janë zhvendosur më shumë drejt së djathtës dhe se kryeministri Benjamin Netanyahu ka arritur të rikuperojë vota që më parë kishin shkuar te partitë e ekstremit të djathtë, përfshirë partinë Otzma Yehudit të Itamar Ben Gvir.
Sa i përket zhvillimeve të ardhshme, ai sheh disa skenarë të mundshëm. Netanyahu mund të kërkojë zgjedhje të reja, me synimin për të forcuar pozitat e tij, ose të përpiqet të krijojë një koalicion me parti të tjera, përfshirë forca arabe apo parti të djathta. Megjithatë, Peres shpreh dyshime se këto përpjekje do të jenë të suksesshme.
Sipas tij, Netanyahu ka aktualisht më shumë hapësirë për të vepruar dhe mund të përdorë çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes për të forcuar mbështetjen politike. Ai thekson se kryeministri ka ruajtur besimin e një pjese të madhe të elektoratit, duke u zotuar se gjatë drejtimit të tij nuk do të krijohet një shtet palestinez dhe duke mbajtur një qëndrim të ashpër ndaj Iranit.
Për opozitën, Peres thotë se një nga gabimet kryesore ishte mungesa e bashkimit në kohë rreth një drejtuesi të përbashkët. Koordinimi i vonuar nuk arriti të kapërcente ndarjet e mëparshme, ndërsa Gadi Eisenkot, sipas tij, nuk siguroi mbështetjen e mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin. Kjo e lë Netanyahun në krye të bllokut më të madh politik dhe të partisë më të madhe.
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ishte pjesëmarrja e lartë e qytetarëve arabë të Izraelit. Peres e sheh këtë si një mesazh të qartë se kjo pjesë e popullsisë kërkon të ketë më shumë ndikim në vendimmarrjen politike.
Ai përmend veçanërisht përkeqësimin e sigurisë në qytetet arabe, ku, sipas tij, dhuna e bandave është rritur gjatë periudhës kur Ben Gvir drejton Ministrinë e Sigurisë Kombëtare. Peres thekson se qeveria e ardhshme nuk mund ta injorojë kërkesën e këtyre qytetarëve për siguri dhe përfaqësim.
Sa i përket çështjes palestineze dhe mundësisë së rifillimit të procesit të paqes, Peres thotë se kjo temë nuk zë aktualisht një vend të rëndësishëm në debatin politik izraelit. Sipas tij, trauma e sulmit të Hamasit më 7 tetor dhe frika nga sulmet e ardhshme e bëjnë shumë të vështirë rikthimin te ideja e dy shteteve.
Ai argumenton se, përpara se të krijohet një shumicë politike në favor të paqes, duhet të eliminohen aftësitë sulmuese të Hamasit, Hezbollahut dhe grupeve të mbështetura nga Irani. Sipas Peres, edhe brenda opozitës, pasojat e sulmit të 7 tetorit vazhdojnë të rëndojnë dhe e bëjnë të vështirë rikthimin te dialogu me palestinezët./mxh
