Ekonomisti Jakup Bellaqa për “Front Online” i ka vlerësuar si hap pozitiv ndryshimet në buxhetin e vitit 2026, përmes të cilave janë paraparë 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe përvojën e punës, si dhe 20 milionë euro për pensionistët.
Megjithatë, ai ka vlerësuar se këto masa nuk janë të mjaftueshme për të përballuar ndikimin e inflacionit.
“Ndryshimet në buxhetin 2026: 102 milionë euro për pagën e 13-të dhe përvojën e punës, 20 milionë euro për pensionistët, janë një hap pozitiv sepse e zbusin situatën sadopak dhe e rrisin kërkesën në treg për mallrat e konsumit, mirëpo do të duhej të rriteshin pagat dhe pensionet”, ka deklaruar Bellaqa.
Ai tha se rritja e çmimeve ndikon në fuqinë blerëse të qytetarëve dhe në kërkesën për produkte.
Sipas tij, përveç masave që lidhen me pagat dhe pensionet, Qeveria duhet të përqendrohet edhe në zhvillimin e sektorëve të tjerë ekonomikë.
“Sgurisht se duhet të fokusohet në sektorin e energjisë elektrike dhe në rritjen e prodhimit të brendshëm dhe të produktivitetit, ekonomizimit dhe rentabilitetit, që krijojnë stabilitet ekonomik dhe qëndrueshmëri ekonomike”, ka thënë Bellaqa.
Ekonomisti ka thënë se reformat më të thella fiskale do të ndikonin drejtpërdrejt në përmirësimin e kushteve për sektorin privat.
“Imediate do të ishte vazhdimi me reforma më të thella fiskale që do të reflektojnë në sektorin privat dhe duhet të luftohet informaliteti në sektorin privat”, u shpreh ai./k.m
